Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, ka reaguar pas përfundimit të situatës së rëndë në minierën e Trepçës, ku 63 minatorë mbetën të ngujuar pas një avarie në sistemin elektrik.
Ramadani ka shprehur lehtësimin që të gjithë minatorët arritën të dalin shëndoshë e mirë, por ka kërkuar që rasti të mos përfundojë vetëm me sanimin e problemit teknik.
“I lumtur që 63 minatorët shpëtuan. Do të kërkoj përgjegjësi nga Qeveria”, ka shkruar ai.
Sipas Ramadanit, raste të tilla me minatorët e Trepçës kanë ndodhur edhe më parë, ndërsa ai konsideron se problemet me furnizimin me energji elektrike nuk duhet të trajtohen thjesht si çështje teknike.
“Përgjegjësi duhet të ketë”, ka theksuar deputeti.
Avaria ndodhi më 7 tetor rreth orës 19:30, në Trafon e Tunelit të Parë, në sistemin 35 kV. Në atë moment, në minierë ndodheshin 63 punëtorë të ndërrimit të dytë.
Pas ndërprerjes së energjisë, 54 minatorë dolën përmes shkallëve emergjente, ndërsa nëntë të tjerët qëndruan në minierë deri pas rikthimit të furnizimit me rrymë.
Energjia u rikthye rreth orës 02:30, ndërsa minatorët e fundit dolën në sipërfaqe rreth orës 02:50. Gjendja shëndetësore e tyre është raportuar e mirë.
Pas incidentit, Njësia e Flotacionit mbeti jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve në sistemin elektrik, ndërsa ekipet teknike vazhduan punën për sanimin e plotë të avarisë.







