Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka komentuar reagimet pas ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke mbrojtur vendimin e marrë në Kuvend.
Tahiri ka thënë se ndryshimet ligjore janë rezultat i asaj që ai i ka cilësuar si dështime të shumta gjatë procesit gjashtëvjeçar të funksionimit të Dhomave të Specializuara.
Sipas tij, kufizimet e vendosura përmes ndryshimeve janë në kuadër të së drejtës së Kuvendit të Kosovës dhe nuk synojnë zhbërjen e institucionit.
“Ky kufizim nuk e zhbën, por e përmirëson një institucion i cili synon të ketë drejtësi”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka shtuar se vendimi i Kuvendit është i plotfuqishëm dhe se Kosova duhet të vazhdojë me synimet e saj institucionale dhe politike.
Reagimi i Tahirit vjen pasi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara u miratuan në lexim të dytë më 6 tetor me 88 vota për. Ndryshimet përfshijnë kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet, mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës dhe mundësinë që dënimet të vuhet në Kosovë.
Para votimit përfundimtar, Tahiri kishte kërkuar publikisht që deputetët të ktheheshin në sallë dhe ndryshimet të miratoheshin edhe në lexim të dytë.






