Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka komentuar zhvillimet e fundit politike, duke thënë se LDK-ja vazhdon ta ruajë atë që ai e cilëson si atribut të një partie institucionaliste.

Haziri ka thënë se qëndrimi i LDK-së ndaj vendimeve të fundit nuk paraqet diçka të re. Sipas tij, partia kishte mbështetur rezolutën si shprehje të vullnetit të përbashkët politik, ndërsa në veprimet e tjera kishte zgjedhur të mos merrte pjesë pa i kundërshtuar ato.

Ai ka kërkuar që partitë politike të vazhdojnë të gjejnë hapësirë për bashkëpunim në çështjet që konsiderohen në interes të Republikës, duke theksuar se drejtësia duhet të vlejë për të gjithë.

Duke folur për vendimin e Kuvendit lidhur me Dhomat e Specializuara, Haziri ka thënë se Kuvendi është institucion që përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe ka rikujtuar se vetë Specialja është krijuar përmes votimit në Kuvendin e Kosovës.

Haziri ka uruar gjithashtu presidenten e re, Justina Shiroka-Pula, duke e cilësuar zgjedhjen e saj si shpresë pas një periudhe të gjatë të krizës politike.

Ai ka folur edhe për procesin që çoi deri te zgjedhja e presidentes. Sipas tij, LDK-ja fillimisht kishte zhvilluar një proces me kryeministrin Albin Kurti, nga i cili kishte dalë emri i Bekim Sejdiut, por kjo kandidaturë nuk kishte siguruar mbështetjen e nevojshme.

Më pas, sipas Hazirit, Kurti dhe kryetari i PDK-së Bedri Hamza ndërtuan një rrugë tjetër politike që përfundoi me kandidaturën dhe zgjedhjen e Shiroka-Pulës.

Haziri ka theksuar se, ndryshe nga praktika e rasteve të mëparshme kur partitë jashtë marrëveshjes nuk merrnin pjesë në seancën për zgjedhjen e presidentit, LDK-ja këtë herë qëndroi në sallë.

Sipas tij, si pjesëmarrja në seancë ashtu edhe mosvotimi janë akte politike.

“Ne e ruajmë atributin e partisë institucionaliste deri në fund, kjo është vlerë politike, nuk është dobësi”, ka deklaruar Haziri.