Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e ka nisur ditën e parë të angazhimeve pas marrjes së detyrës me homazhe në Prekaz, te varri i presidentit historik Ibrahim Rugova dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.
Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, Shiroka-Pula nderoi sakrificën e familjes Jashari dhe veprën e komandantit Adem Jashari.
“Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, deklaroi presidentja.
Më pas, Shiroka-Pula bëri homazhe te varri i Ibrahim Rugovës, duke vlerësuar rolin dhe vizionin e tij politik në një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së Kosovës.
Presidentja theksoi se vizioni i Rugovës për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore vazhdon të mbetet udhërrëfyes.
Homazhe u bënë edhe te varri i Adem Demaçit, ku Shiroka-Pula nderoi jetën dhe veprën e tij, duke vlerësuar qëndresën dhe sakrificën e tij për lirinë dhe dinjitetin e popullit të Kosovës.
Sipas presidentes, nderimi i këtyre figurave rikujton themelet mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, të lidhura me sakrificën, vizionin dhe qëndresën e brezave.
Shiroka-Pula mori zyrtarisht detyrën një ditë më parë, pas ceremonisë së inaugurimit dhe dorëzim-pranimit të përgjegjësive presidenciale.




