Kanadezja DonnaJean Wilde, 61 vjeçe, ka realizuar një tjetër sfidë të jashtëzakonshme fizike, duke qëndruar në pozicionin plank për më shumë se pesë orë.
Përpjekja u zhvillua më 6 tetor gjatë Huntsman World Senior Games në Utah të Shteteve të Bashkuara.
Organizatorët njoftuan se Wilde e përfundoi sfidën me kohën 5 orë e 7 sekonda, duke kaluar rekordin e saj të mëparshëm prej 4 orësh, 30 minutash dhe 11 sekondash.
Megjithatë, rezultati i ri ende duhet të verifikohet zyrtarisht nga Guinness World Records. Guinness ka konfirmuar se ka pranuar aplikimin dhe materialet e përpjekjes së re dhe se ato do t’i nënshtrohen shqyrtimit para njohjes së rekordit.
Wilde nisi sfidën rreth orës 15:03, ndërsa gjyqtarët që monitoronin përpjekjen ndërroheshin çdo orë.
61-vjeçarja ka treguar se gjatë minutave të fundit mendoi të dorëzohej, por mbështetja e publikut e ndihmoi ta çonte sfidën deri në fund.
Ajo kishte vendosur rekordin aktual zyrtar të Guinness në mars të vitit 2024, kur qëndroi në plank për 4 orë, 30 minuta dhe 11 sekonda.
Wilde është nënë e pesë fëmijëve dhe gjyshe e 12 nipërve e mbesave. Ajo mban gjithashtu rekordin për numrin më të madh të pompave të realizuara nga një grua brenda një ore, me 1,575 përsëritje.
Madje, vetëm një mëngjes pas sfidës pesëorëshe, Wilde mori pjesë edhe në një garë vrapimi prej 3,000 metrash.







