Kongresmeni amerikan Gregory Meeks ka theksuar rëndësinë që Kosova ta ruajë dhe forcojë marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shprehur njëkohësisht mbështetje për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.
Meeks i bëri këto komente gjatë një takimi me përfaqësues të Këshillit për Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, ku u diskutua për Kosovën, Shqipërinë, Luginën e Preshevës dhe politikën amerikane ndaj Ballkanit Perëndimor.
Kongresmeni nga New Yorku theksoi se për Kosovën mbetet me rëndësi ruajtja e partneritetit të fuqishëm me Washingtonin dhe avancimi i mëtejshëm drejt institucioneve euroatlantike.
Në takim është diskutuar edhe për pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Meeks ka mbështetur parimin që të drejtat e shqiptarëve atje duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë me të drejtat që u garantohen serbëve në Kosovë.
Pjesë e diskutimeve ishte edhe forcimi i Grupit për Çështjet Shqiptare në Kongresin amerikan, si dhe mundësia e shtimit të vëmendjes ndaj zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor në kuadër të Komisionit për Punë të Jashtme.
Është diskutuar gjithashtu mundësia e organizimit të një delegacioni dypartiak të Kongresit amerikan për vizitë në rajon, që potencialisht do të përfshinte Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Luginën e Preshevës.
Gjatë takimit është trajtuar edhe çështja e Dhomave të Specializuara në Hagë dhe procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Meeks ka shprehur qëndrimin se zhvillimi i procedurave meriton rishikim dhe se duhet t’i kushtohet vëmendje më e madhe një rezultati që mund të çojë në lirimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Meeks është anëtari demokrat më i lartë në Komisionin për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve dhe prej vitesh është përfshirë në çështje që lidhen me politikën e jashtme amerikane.







