Home > Ballina > Prokurori thotë se provat do të dëshmojnë se Shabani e Qerimi i shërbyen BIA-s

Prokurori thotë se provat do të dëshmojnë se Shabani e Qerimi i shërbyen BIA-s

///
Comments are Off

Gjykimi ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të akuzuar për spiunazh në favor të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, BIA, ka nisur sërish nga fillimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Të dy të akuzuarit janë deklaruar sërish të pafajshëm për akuzat e spiunazhit.

Procesi ka nisur nga e para për shkak të ndryshimit në trupin gjykues. Gjyqtari Vesel Ismajli, i cili po i afrohet pensionimit, është zëvendësuar nga gjyqtarja Donika Shala-Abdyli.

Në fjalën hyrëse, prokurori special Bekim Kodraliu ka thënë se provat që do të administrohen gjatë procesit do të dëshmojnë, sipas Prokurorisë, se Shabani dhe Qerimi kanë ndihmuar dhe i kanë shërbyer BIA-s.

Prokuroria ka bërë të ditur se dosja përmban mbi 30 raporte policore, raporte të Agjencisë së Forenzikës së Kosovës, konfirmime zyrtare nga AKI-ja, të dhëna për hyrje-daljet në Serbi, dokumente, fotografi dhe materiale të tjera.

Sa i përket Bedri Shabanit, Prokuroria pretendon se ai ka mbledhur dhe dërguar informacione, dokumente dhe materiale që lidhen me UÇK-në dhe ngjarjet e luftës në Kosovë, përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike me Sërgjan Rosiqin.

Një nga pretendimet e aktakuzës është se Shabani kishte tentuar ta lidhte Spitalin Ushtarak të UÇK-së në Mollopolc me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” në Shqipëri.

Ndërkaq, Muharrem Qerimi akuzohet se ka dërguar informacione që lidhen me UÇK-në, Policinë e Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Inspektoratin Policor dhe persona të tjerë të përfshirë në raste të ndryshme.

Qerimi ngarkohet gjithashtu me mbajtje të paautorizuar të armëve, vepër për të cilën kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar.

Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzën ndaj Shabanit dhe Qerimit më 19 shkurt 2025, ndërsa të dy vazhdojnë t’i mohojnë akuzat për spiunazh. Përgjegjësia e tyre penale do të përcaktohet nga gjykata pas shqyrtimit të provave.

Verified by MonsterInsights