Kënga e papublikuar e këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi, e titulluar “A je rahat pa mu”, është publikuar këtë të shtunë, më 10 tetor, duke rikthyer zërin e artistit te publiku, gati një vit pas ndarjes së tij nga jeta.
Pas këtij projekti qëndron një histori emocionale, të cilën e ka zbuluar Selvije Jao, duke treguar se kënga ishte përgatitur që kur Shpati ishte ende gjallë, por publikimi i saj ishte shtyrë për muaj të tërë.
Përmes një rrëfimi në Instagram, Selvija ka treguar se pak para pjesëmarrjes së planifikuar të Shpatit në spektaklin “Big Brother VIP Albania 5”, këngëtari i kishte dërguar katër versione demo të një projekti muzikor, duke i kërkuar mendimin për përzgjedhjen e këngës.
Ajo kishte zgjedhur pikërisht “A je rahat pa mu”, me idenë që kënga të publikohej gjatë qëndrimit të tij në shtëpinë e famshme. Megjithatë, këto plane nuk u realizuan, pasi këngëtari ndërroi jetë papritur në nëntor të vitit 2025.
Selvija ka zbuluar se gjatë muajve mars ose prill të këtij viti, producenti Anton Prendi ia kishte dorëzuar këngën e përfunduar. Ajo ka shprehur mirënjohje edhe për Arti Rec dhe Imperial B, të cilët kontribuuan në realizimin e projektit.
Pavarësisht se kënga ishte gati, Selvija kishte vendosur ta mbante për vete, pasi nuk ndihej emocionalisht e përgatitur për ta ndarë me publikun.
Ajo ka rrëfyer se titulli “A je rahat pa mu” tashmë ka marrë një kuptim krejt tjetër për të, duke ia rikthyer dhimbjen e humbjes së Shpatit.
Publikimin e këngës, Selvija e ka cilësuar si një amanet të artistit të ndjerë, me dëshirën që zëri dhe krijimtaria e tij të vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e publikut.
Shpat Kasapi u nda nga jeta më 26 nëntor 2025. Pas vdekjes së tij, familja ka vazhduar të ndajë me publikun projekte muzikore që këngëtari kishte lënë pas, përfshirë edhe këngën “Nana”, të publikuar në qershor të këtij viti.







