Home > Ballina > Familjari i 29-vjeçarit që dyshohet se u vra nga babai në Gjilan publikon mesazh prekës

Familjari i 29-vjeçarit që dyshohet se u vra nga babai në Gjilan publikon mesazh prekës

///
Comments are Off

Një familjar i 29-vjeçarit Bajram Arifi, i cili dyshohet se u vra nga babai i tij në fshatin Pogragjë të Gjilanit, ka reaguar me një mesazh prekës pas ngjarjes së rëndë që ndodhi mbrëmjen e së dielës, më 11 tetor.

Përmes një postimi në Instagram, i afërmi i viktimës ka shprehur dhimbjen për humbjen e të riut, duke i kushtuar fjalë lamtumire.

“Sa e rëndë të thuhet lamtumirë kur duhej ende të jetoje. Prehu në paqe, shpirti yt u bëftë banor i Xhenetit. Allahu të mëshiroftë!”, ka shkruar familjari.

Vrasja ndodhi rreth orës 19:20 në fshatin Pogragjë, ku 29-vjeçari dyshohet se u qëllua për vdekje me armë zjarri nga babai i tij 53-vjeçar.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka konfirmuar se i dyshuari, me inicialet R.A., është larguar nga vendngjarja pas incidentit, ndërsa motivet e vrasjes mbeten ende të panjohura.

Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe ekzaminimit të vendngjarjes, autoritetet kanë sekuestruar armë dhe municion. Prokuroria ka njoftuar për tri pushkë gjuetie me leje të skaduara, ndërsa raporti policor ka specifikuar një pushkë gjuetie, një pushkë M48, një pistoletë, 68 fishekë dhe katër gëzhoja.

Prokuroria ka bërë të ditur se as viktima dhe as i dyshuari nuk kanë pasur të kaluar kriminale dhe se ndërmjet tyre nuk ka pasur raste të raportuara më parë për dhunë në familje.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se është gjetur vetura me të cilën dyshohet se është larguar 53-vjeçari. Megjithatë, ai vazhdon të jetë në kërkim policor.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes po vazhdojnë.

Verified by MonsterInsights