Detaje të reja janë zbuluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë gjatë rigjykimit ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, e cila humbi jetën në gusht të vitit 2023 pasi ra nga dritarja e një hoteli në Fushë-Kosovë.
Në seancën e mbajtur të hënën, më 12 tetor, ka dëshmuar Erza Limani, ish-recepsioniste e hotelit “Sonoma”, e cila ka rrëfyer momentet para dhe pas ngjarjes tragjike.
Limani ka treguar se natën kritike kishte filluar ndërrimin në orën 23:00, ndërsa Endrit Nikën dhe Maria Clara Urdangaray i kishte parë duke hyrë në hotel pas mesnatës.
Sipas saj, rreth orës 02:00 kishte dëgjuar një zhurmë të fuqishme dhe kishte dalë për të kontrolluar se çfarë kishte ndodhur. Aty kishte parë vajzën të shtrirë në tokë, të rrethuar nga xhama të thyer dhe pjesë të kornizës së dritares.
Dëshmitarja ka deklaruar se në momentin kur iu afrua, e reja argjentinase ishte ende gjallë dhe kishte kërkuar ujë. Ajo ka treguar se shishen e ujit ia kishte dhënë Endrit Nikës, por nuk e dinte nëse ai ia kishte dhënë vajzës për të pirë apo ia kishte lagur fytyrën.
Një nga pjesët kryesore të dëshmisë lidhet me bisedën që Limani pretendon se ka zhvilluar me Nikën pas ngjarjes.
Sipas saj, Nika i kishte thënë se kishin qenë duke fjetur në dhomën 403 dhe se nuk e dinte si kishte rënë vajza nga dritarja.
“Nuk ka mundësi, sepse krevati është larg dritares”, ka deklaruar Limani se i ishte përgjigjur atij.
Ajo ka dëshmuar gjithashtu se Nika ishte nervoz dhe i tensionuar kur kishte marrë vesh se po vinte Policia. Sipas saj, ai kishte kundërshtuar ardhjen e policëve dhe kishte përdorur fjalë fyese, gjë që e kishte frikësuar.
Limani ka përmendur edhe një detaj tjetër, duke deklaruar se kur Nika kishte zbritur pas incidentit, mbante një këmishë të shqyer në pjesën e pasme.
Endrit Nika po rigjykohet për vrasje të rëndë, pasi Gjykata e Apelit anuloi aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin ai ishte dënuar me 18 vjet burgim më 19 shkurt 2026.
Sipas aktakuzës, më 1 gusht 2023, pas një mosmarrëveshjeje me partneren e tij, Nika dyshohet se e kishte goditur dhe shtyrë atë gjatë një përleshjeje në dhomën e hotelit, nga ku e reja kishte rënë prej katit të gjashtë.
Mbrojtja e Nikës i kundërshton pretendimet e Prokurorisë, duke argumentuar se vdekja ishte aksidentale dhe lidhej me gjendjen e dritares së hotelit. Nika është deklaruar i pafajshëm edhe gjatë rigjykimit.
Procesi gjyqësor vazhdon, ndërsa dëshmitë dhe provat do të shqyrtohen nga trupi gjykues për të përcaktuar rrethanat dhe përgjegjësinë eventuale penale.







