Home > Ballina > Gjendet vetura e babait që dyshohet se vrau djalin në Gjilan, 53-vjeçari ende në arrati

Gjendet vetura e babait që dyshohet se vrau djalin në Gjilan, 53-vjeçari ende në arrati

///
Comments are Off

Policia e Kosovës ka konfirmuar se është gjetur vetura e 53-vjeçarit Remzi Arifi, i cili dyshohet se vrau djalin e tij 29-vjeçar në fshatin Pogragjë të Gjilanit, mbrëmjen e së dielës.

Pavarësisht gjetjes së automjetit, i dyshuari vazhdon të jetë në arrati, ndërsa njësitë policore po vazhdojnë kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e tij.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar se vetura është gjetur në fshatin Sllubicë, jo shumë larg shtëpisë së të dyshuarit.

Vrasja e rëndë ka ndodhur më 11 tetor, rreth orës 19:20, ku 53-vjeçari dyshohet se ka qëlluar për vdekje me armë zjarri djalin e tij, Bajram Arifi.

Pas ngjarjes, i dyshuari ishte larguar nga vendi i krimit, ndërsa në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe Prokurori i Shtetit.

Gjatë ekzaminimit të vendngjarjes dhe kontrollit të shtëpisë janë sekuestruar disa armë dhe municion, të cilat do të trajtohen në kuadër të hetimeve.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se motivet e vrasjes mbeten ende të panjohura. Gjithashtu, sipas institucionit, babai dhe djali nuk kishin të kaluar kriminale dhe nuk kishte raste të mëparshme të raportuara të dhunës në familje mes tyre.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i 29-vjeçarit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vazhdojnë, ndërsa Policia ende nuk ka njoftuar për arrestimin e të dyshuarit.

Verified by MonsterInsights