Home > Lajme > Shqiptari i dehur futet me veturë në një restorant në Selanik, tre të plagosur

Shqiptari i dehur futet me veturë në një restorant në Selanik, tre të plagosur

///
Comments are Off

Një 45-vjeçar shqiptar është arrestuar në Selanik të Greqisë, pasi nën ndikimin e alkoolit ka humbur kontrollin e veturës dhe është përplasur me një restorant ku po qëndronin klientë. Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur tre persona.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, më 11 tetor, rreth orës 01:00, në zonën e Evosmosit, në rrugën Agamemnonos.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur automjeti del nga rruga dhe përfundon në hapësirën ku ndodheshin tavolinat e restorantit, duke shkaktuar panik te klientët dhe dëme të konsiderueshme materiale.

Sipas dëshmitarëve, vazot e mëdha me lule, të vendosura përreth hapësirës së jashtme të lokalit, kanë penguar lëvizjen e mëtejshme të veturës, duke shmangur pasoja që mund të kishin qenë edhe më të rënda.

Pronarja e restorantit ka deklaruar se vazot me lule mund t’u kenë shpëtuar jetën klientëve.

“Nëse nuk do t’i kishim vazot me lule, do të kishim funerale”, ka deklaruar ajo, duke treguar se ishte larguar nga restoranti vetëm pak minuta para aksidentit.

Një kliente, bashkëshorti i së cilës mbeti i plagosur, ka pretenduar se shoferi tentoi të largohej nga vendngjarja duke lëvizur veturën mbrapsht, por u pengua nga personat e pranishëm.

Megjithatë, 45-vjeçari e ka mohuar se kishte qëllim të largohej. Ai ka deklaruar se është i tronditur nga ngjarja dhe se lëvizjen mbrapsht e kishte bërë pasi e kuptoi se kishte goditur njerëz me veturë.

Pas aksidentit, Policia greke e ka arrestuar shoferin dhe e ka testuar për alkool. Dy matjet kanë treguar 0.77 dhe 0.74 miligramë alkool për litër ajër të nxjerrë, ndërsa kufiri i lejuar është 0.25 mg/l.

Nga tre personat e plagosur, dy janë liruar nga spitali, ndërsa një burrë vazhdon të marrë trajtim mjekësor. Sipas informacioneve të fundit, ai nuk është në rrezik për jetën.

Ndaj shoferit është ngritur aktakuzë për drejtim të rrezikshëm, shkaktim të lëndimeve trupore nga pakujdesia dhe drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit.

Seanca gjyqësore e paraparë për të hënën, më 12 tetor, është shtyrë për të martën, më 13 tetor, ndërsa 45-vjeçari do të vazhdojë të mbahet në ndalim deri në shqyrtimin e rastit.

Verified by MonsterInsights