Një ngjarje tragjike ka ndodhur pasditen e së hënës, më 12 tetor, në Ferizaj, ku një punëtor 54-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në vendin e punës.
Rasti ka ndodhur rreth orës 15:40, në rrugën “Cen Dugolli”, në një objekt në ndërtim, ku viktima dyshohet se është rrëzuar nga kati përdhes në bodrum gjatë kryerjes së punimeve ndërtimore.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar se pas pranimit të informatës për aksidentin, në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe ekipet emergjente.
Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve mjekësore, 54-vjeçari nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të pësuara, ndërsa vdekja e tij është konstatuar në vendngjarje.
Përveç patrullës policore, në vendin e aksidentit kanë dalë edhe hetuesit rajonalë, të cilët kanë nisur veprimet për sqarimin e rrethanave të rastit.
Policia ka njoftuar gjithashtu se janë thirrur edhe inspektorët e punës, ndërsa për të gjitha veprimet është informuar Prokurori i Shtetit.
Ende nuk janë bërë të ditura rrethanat e sakta që çuan deri te rrëzimi i punëtorit, si dhe nëse në objekt ishin respektuar masat e sigurisë në punë.
Priten informacione të mëtejshme nga institucionet përgjegjëse lidhur me hetimet për aksidentin fatal.







