Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, dhe reperi kosovar Ledri Vula kanë tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale, pas publikimit të disa fotografive ku shihen duke ecur dorë për dore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në pamjet e publikuara, dy artistët shfaqen duke ecur së bashku në një rrugë të frekuentuar, ndërsa mbajnë duart e njëri-tjetrit.
Fotografitë kanë nxitur kureshtje dhe aludime për një afërsi të mundshme romantike mes tyre, megjithëse asnjëri prej artistëve nuk ka konfirmuar publikisht një lidhje dashurie.
Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi Ledri Vula mori pjesë në dasmën e vëllait të Bebe Rexhës, Florent Rexha, të organizuar në New York.
Gjatë ceremonisë, reperi kosovar performoi disa nga këngët e tij, ndërsa në rrjetet sociale u shpërndanë edhe video ku ai dhe Bebe Rexha shiheshin duke kënduar e vallëzuar së bashku.
Në këtë festë morën pjesë edhe artistë të tjerë shqiptarë, përfshirë këngëtaren Yllka Kuqi.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse fotografitë e fundit tregojnë një raport romantik mes Bebe Rexhës dhe Ledri Vulës apo thjesht një moment miqësor mes dy artistëve.







