Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas përshkallëzimit të protestave studentore në Tiranë, duke u bërë thirrje protestuesve dhe Policisë të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin veprimet e dhunshme.
Përmes një deklarate të publikuar të mërkurën, më 14 tetor, kreu i shtetit ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar në kryeqytetin shqiptar, ku për të dytën ditë radhazi janë regjistruar përplasje ndërmjet demonstruesve dhe forcave të rendit.
Begaj ka theksuar se protesta paqësore është një e drejtë themelore demokratike, të cilën shteti ka detyrim ta garantojë, por ka kundërshtuar përdorimin e dhunës nga protestuesit dhe çdo ndërhyrje joproporcionale të Policisë.
“E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit”, ka deklaruar presidenti.
Ai ka kërkuar që të gjitha palët të respektojnë Kushtetutën dhe ligjin, duke theksuar se situata kërkon më shumë përgjegjësi për të shmangur tensionet e mëtejshme.
Presidenti ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të dëgjuar shqetësimet e të rinjve dhe qytetarëve, duke ofruar institucionin e Presidencës si hapësirë për dialog.
“Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit”, ka deklaruar Begaj.
Reagimi i tij vjen pas protestave të nisura nga studentët për kushtet në universitete, kostot e arsimit dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë. Gjatë tubimeve janë dëgjuar edhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Protestat janë shoqëruar me hedhje gurësh dhe koktejesh molotov, dëmtim të objekteve dhe përplasje me Policinë, e cila ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Gjatë protestave janë raportuar edhe persona të lënduar, ndërsa autoritetet kanë ndërmarrë veprime ndaj pjesëmarrësve të dyshuar për incidente të dhunshme.
Përballë kësaj situate, Begaj ka kërkuar qetësim të tensioneve dhe respektim të së drejtës për protestë, duke theksuar se dialogu duhet të mbetet rruga për trajtimin e shqetësimeve të qytetarëve.







