Home > Ballina > Berisha ultimatum Ramës: Zgjidh fatin e Ramiz Alisë, jo të Çausheskut

Berisha ultimatum Ramës: Zgjidh fatin e Ramiz Alisë, jo të Çausheskut

///
Comments are Off

Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Sali Berisha, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqje, duke e paralajmëruar që të zgjedhë fatin e ish-udhëheqësit komunist shqiptar Ramiz Alia dhe jo atë të ish-diktatorit rumun Nicolae Çaushesku.

Në një deklaratë për media, të enjten, më 15 tetor, Berisha ka theksuar se Partia Demokratike do të vazhdojë mbështetjen për protestat studentore, pavarësisht veprimeve të Qeverisë dhe Policisë së Shtetit.

“Jam këtu për të paralajmëruar Edi Ramën se asnjë provokacion, asnjë akt i tij, policisë së tij kriminale dhe shërbimit të tij, nuk do mund të cenojë mbështetjen e plotë dhe totale të Partisë Demokratike, anëtarëve, mbështetësve të saj në mbarë Shqipërinë, për protestën studentore”, deklaroi Berisha.

Kreu i opozitës shqiptare më pas bëri një krahasim me fatin e dy ish-udhëheqësve komunistë, duke i kërkuar Ramës largimin nga pushteti.

“Sikundër, i sugjeroj që midis fatit të Çausheskut dhe fatit të Ramiz Alisë, të zgjedhë këtë të dytin. Rrugë tjetër nuk ka. Të japë dorëheqjen!”, u shpreh Berisha.

Ramiz Alia ishte udhëheqësi i fundit komunist i Shqipërisë, i cili u largua nga presidenca në vitin 1992, gjatë tranzicionit drejt sistemit shumëpartiak.

Ndërkohë, Nicolae Çaushesku u rrëzua nga pushteti gjatë Revolucionit Rumun në dhjetor të vitit 1989 dhe u ekzekutua së bashku me bashkëshorten e tij.

Deklarata e Berishës vjen në ditën e tretë të protestave studentore në Shqipëri, të cilat kanë përfshirë Tiranën dhe disa qytete të tjera.

Protestuesit kanë ngritur shqetësime për kostot e arsimit, kushtet e studimit dhe korrupsionin, ndërsa gjatë tubimeve janë dëgjuar edhe thirrje për dorëheqjen e Qeverisë.

Protestat janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, si dhe me dëmtime të pronave publike dhe private.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqje si pasojë e protestave.

Verified by MonsterInsights