Protestat në Tiranë janë përshkallëzuar sërish mbrëmjen e së enjtes, më 15 tetor, me përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, hedhje molotovësh e fishekzjarrësh dhe zjarre në disa pjesë të kryeqytetit shqiptar.
Situata është tensionuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku gjatë mbrëmjes është ndërprerë ndriçimi publik, ndërsa grupe protestuesish kanë hedhur mjete piroteknike dhe molotovë në drejtim të efektivëve të Policisë.
Përplasjet janë regjistruar në hapësirën nga Ura mbi Lanë deri pranë Ministrisë së Brendshme, ku forcat e rendit kanë ndërhyrë për shpërndarjen e turmave.
Disa protestues kanë shkulur pllaka guri nga trotuaret, të cilat më pas i kanë përdorur për të qëlluar në drejtim të policëve.
Tensionet janë shtuar pas përfshirjes nga flakët të një kioske të mbyllur pranë Lulishtes së Vëllezërve Frashëri. Zjarri është përhapur edhe te pemët përreth, ndërsa tymi i dendur ka mbuluar një pjesë të bulevardit.
Përplasjet kanë vazhduar me hedhje të fishekzjarrëve dhe gurëve, ndërsa Policia ka përdorur gaz lotsjellës për të larguar protestuesit dhe për të rivendosur kontrollin në zonë.
Gjatë ditës, incidente janë raportuar edhe pranë Kuvendit, Ministrisë së Arsimit dhe selisë së Partisë Socialiste. Janë dëmtuar vitrina biznesesh, kioska, semaforë dhe prona të tjera publike e private.
Protestat kanë hyrë në ditën e tretë, me pjesëmarrjen e studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve që kërkojnë përmirësimin e kushteve në arsim dhe largimin e kryeministrit Edi Rama.
Kreu i Qeverisë shqiptare ka deklaruar se nuk do të japë dorëheqje për shkak të protestave, ndërsa ka shprehur gatishmëri për dialog mbi kërkesat e studentëve dhe ka dënuar aktet e dhunës.
Përplasjet e fundit tregojnë se tensionet në kryeqytet vazhdojnë, ndërsa deri në momentin e raportimit nuk ka një bilanc përfundimtar të personave të lënduar ose të ndaluar gjatë incidenteve të mbrëmjes.







