Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka refuzuar hyrjen në Kosovë të 27 tonëve misër me origjinë nga Serbia, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar praninë e aflatoksinës mbi kufirin e lejuar.
Sipas njoftimit të publikuar të enjten, më 15 tetor, bëhet fjalë për një ngarkesë prej 27 mijë kilogramësh misër merkantil, të importuar nga kompania “IDEAL GROUP” SH.P.K.
Nga analizat laboratorike është konstatuar se niveli i aflatoksinës në misër ishte 33 mikrogramë për kilogram, ndërsa kufiri i lejuar për këtë ngarkesë është 20 mikrogramë për kilogram.
Rezultatet janë konfirmuar edhe përmes një superanalize të kryer nga një laborator referent në Austri, duke vërtetuar tejkalimin e nivelit të lejuar të kësaj substance.
Pas rezultateve të analizave, AUV-ja ka marrë vendim për refuzimin e importit dhe ka urdhëruar kthimin e të gjithë sasisë së misrit në Serbi.
Aflatoksina është një substancë toksike që prodhohet nga disa lloje të mykut dhe mund të gjendet në drithëra, përfshirë misrin. Ekspozimi ndaj saj mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore te njerëzit dhe kafshët.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë të ditur se kontrollet e shtuara ndaj produkteve ushqimore të importuara do të vazhdojnë, me qëllim parandalimin e hyrjes në treg të produkteve që nuk përmbushin standardet e sigurisë.
Institucioni ka theksuar se do të zbatohet tolerancë zero ndaj ngarkesave që përmbajnë substanca të dëmshme mbi nivelet e lejuara.







