Home > Ballina > Gashani i kundërpërgjigjet Ramës për Lojërat Mesdhetare 2030: Alarm i pabazë, Kosova do t’i organizojë

Gashani i kundërpërgjigjet Ramës për Lojërat Mesdhetare 2030: Alarm i pabazë, Kosova do t’i organizojë

///
Comments are Off

Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, i është kundërpërgjigjur kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pasi ky i fundit paralajmëroi se Kosova rrezikon ta humbasë organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Përmes një reagimi publik të enjten, Gashani e ka cilësuar paralajmërimin e Ramës si dramatizim të panevojshëm dhe alarm të pabazë, duke këmbëngulur se Qeveria mbetet plotësisht e përkushtuar për organizimin e kësaj ngjarjeje sportive.

Ministri ka kritikuar mënyrën se si Rama e publikoi korrespondencën e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), duke pretenduar se nuk është paraqitur tërësia e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale.

Sipas Gashanit, letra e ICMG-së i ishte drejtuar edhe kryetarit të Prishtinës dhe kishte për qëllim trajtimin e çështjeve ndërmjet institucioneve partnere.

Ai ka përdorur edhe gjuhë kritike ndaj Ramës, duke e krahasuar sjelljen e tij me atë të një fëmije të pakënaqur që ankohet para mysafirëve.

Gashani ka theksuar se Qeveria po vazhdon punën në bashkëpunim me ICMG-në dhe institucionet përkatëse, me synimin që obligimet për organizimin e Lojërave të përmbushen sipas standardeve dhe afateve të përcaktuara.

Ministri ka deklaruar se problemet dhe vështirësitë që shoqërojnë një projekt të këtyre përmasave po trajtohen nga institucionet përgjegjëse.

“Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030!”, ka shkruar Gashani, duke shprehur bindjen se vendi do të jetë nikoqir i kësaj ngjarjeje.

Reagimi i tij vjen pasi Përparim Rama publikoi një letër të ICMG-së, në të cilën ngrihen shqetësime për mospërmbushjen e disa detyrimeve financiare dhe administrative nga institucionet e Kosovës.

Sipas letrës së publikuar, nuk kishte pasur përgjigje ndaj korrespondencës së 21 shtatorit, ndërsa garancia bankare ose e sigurimit, e kërkuar që nga janari 2026, dhe disa pagesa të parapara për qershorin kishin mbetur të papërmbushura.

Në dokument paralajmërohet se këto mangësi mund të rrezikojnë seriozisht përgatitjet dhe organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Rama ka bërë të ditur se më 19 dhjetor Komiteti Ekzekutiv i ICMG-së pritet ta shqyrtojë situatën, me mundësinë e thirrjes së një Asambleje të Jashtëzakonshme për të vendosur mbi të ardhmen e organizimit.

Ndërkohë, më 5 tetor, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar marrëveshjen e kredisë prej 60 milionë eurosh me Agjencinë Franceze për Zhvillim, e destinuar për investime të lidhura me Lojërat Mesdhetare.

Pavarësisht qëndrimeve të kundërta mes ministrit Gashani dhe kryetarit Rama, deri më tani nuk është marrë ndonjë vendim për t’ia hequr Kosovës të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030.

Verified by MonsterInsights