Policia Rajonale e Ferizajt ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të dyshuar për përvetësimin e një kulete që i kishte rënë një qytetari.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti dyshohet se ka ndodhur më 11 shtator 2026, në rrugën “Qamil Ilazi” në Ferizaj.
Personi që po kërkohet të identifikohet dyshohet se e ka marrë kuletën që i kishte rënë një qytetari tjetër, me qëllim përvetësimin e saj në mënyrë të kundërligjshme.
Rasti është duke u hetuar si vepër penale “Shpërdorim i pasurisë së huaj”.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, Policia ka publikuar fotografinë dhe videon e personit të dyshuar, duke kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin dhe lokalizimin e tij.
Qytetarët që kanë informacione lidhur me personin ose rastin mund të kontaktojnë Policinë e Kosovës përmes numrit emergjent 192, stacionit më të afërt policor apo aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë”.
Policia ka garantuar se të gjitha informacionet e pranuara do të trajtohen me konfidencialitet të plotë.
Autoritetet kanë theksuar se bashkëpunimi i qytetarëve është i rëndësishëm për zbardhjen e rastit.
Personi mbetet i dyshuar dhe përfshirja e tij në veprën penale nuk është vërtetuar me vendim gjyqësor.







