Komandanti i forcave të rendit në Policinë e Shkodrës, Fasli Rama, ka mbetur i plagosur rëndë në kokë gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe policisë, të zhvilluara të enjten, më 15 tetor.
Sipas raportimeve nga Shqipëria, gjendja shëndetësore e tij paraqitet e rëndë, ndërsa është nisur me urgjencë drejt Tiranës për trajtim të specializuar mjekësor.
Rama raportohet se është goditur me gur në kokë gjatë përleshjeve pranë Komisariatit të Policisë në Shkodër, ku protestuesit ishin zhvendosur pasi policia kishte shoqëruar disa pjesëmarrës në tubim.
Ngjarja ndodhi pasi protesta e studentëve dhe gjimnazistëve në Shkodër, e cila fillimisht ishte përqendruar përpara Bashkisë, u përshkallëzua në përplasje me forcat e rendit.
Gjatë protestës, një pjesë e pjesëmarrësve hodhën gurë dhe kapsolla drejt godinës së Bashkisë, duke shkaktuar thyerje xhamash dhe dëme materiale.
Pas shoqërimit të disa protestuesve nga policia, një grup u zhvendos drejt komisariatit për të kërkuar lirimin e tyre. Pikërisht gjatë këtyre tensioneve raportohet se komandanti Fasli Rama u godit me gur në kokë.
Raportimet e fundit paralajmërojnë se plagët e marra mund t’ia rrezikojnë jetën efektivit, megjithëse ende nuk është publikuar një konfirmim i drejtpërdrejtë nga autoritetet shëndetësore për shkallën e lëndimeve.
Protesta në Shkodër është pjesë e tubimeve të studentëve dhe të rinjve që kanë përfshirë disa qytete të Shqipërisë për të tretën ditë radhazi, duke u shoqëruar me tensione, ndërhyrje të policisë dhe persona të lënduar.







