Home > Ballina > Pesë policë rrezikojnë suspendimin në Prishtinë e Gjilan, tre dyshohen për ngacmim seksual të një gruaje

Pesë policë rrezikojnë suspendimin në Prishtinë e Gjilan, tre dyshohen për ngacmim seksual të një gruaje

///
Comments are Off

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e pesë zyrtarëve policorë në dy raste të ndara në Prishtinë dhe Gjilan, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale, përfshirë ngacmimin seksual, kontrollimin e kundërligjshëm dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Sipas njoftimit të IPK-së, të publikuar të premten, më 16 tetor, tre zyrtarë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë dyshohen për veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Kontrollimi i kundërligjshëm”.

Rasti dyshohet se ka ndodhur më 15 tetor 2026, pas mesnatës, në afërsi të rrethrrotullimit në lagjen Lakërishte të Prishtinës.

Sipas pretendimeve të ankueses, ajo ishte duke drejtuar veturën kur ishte ndaluar dhe kontrolluar nga zyrtarët policorë.

Gruaja ka pretenduar se pas kontrollit, policët i kishin kërkuar të vazhdonte në drejtim të fshatit Çagllavicë, me qëllim të kryerjes së veprimeve me karakter seksual.

Pas pranimit të ankesës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e tre policëve.

Me udhëzim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është iniciuar procedurë penale për veprat e dyshuara, ndërsa hetimet do të vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.

Ndërkohë, në një rast tjetër në Gjilan, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë, të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas të dhënave fillestare, më 15 tetor, rreth orës 23:00, dy policët dyshohet se kanë ndaluar një qytetar dhe e kanë futur në veturën zyrtare.

Gjatë kësaj kohe, sipas pretendimeve të qytetarit, ndaj tij është ushtruar abuzim verbal dhe i është cenuar privatësia, duke përfshirë marrjen e telefonit pa urdhër të Prokurorit të Shtetit.

IPK-ja ka bërë të ditur se ky rast mund të ketë lidhje edhe me një ankesë të mëhershme të të njëjtit qytetar, të paraqitur në korrik të vitit 2026, lidhur me dyshimet për keqtrajtim dhe tejkalim të autorizimeve policore.

Inspektorati ka theksuar se do të vazhdojë hetimet për sqarimin e plotë të të dy rasteve dhe përcaktimin e përgjegjësisë eventuale të zyrtarëve të përfshirë.

Deri më tani, IPK-ja ka konfirmuar rekomandimin për suspendimin e pesë zyrtarëve, por jo një vendim përfundimtar për suspendimin e tyre.

Verified by MonsterInsights