Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ushtrojë presion vendimtar ndaj Serbisë për dorëzimin e Milan Radoiçiqit dhe personave të tjerë të akuzuar për sulmin e armatosur në Banjskë.
Në një intervistë për “Hungary Insider”, të publikuar më 15 tetor, Konjufca ka deklaruar se personat e akuzuar duhet të përballen me drejtësinë në Kosovë, duke theksuar se mungesa e llogaridhënies për sulmin e shtatorit 2023 mbetet shqetësim serioz për sigurinë rajonale.
Ai ka rikujtuar se Parlamenti Evropian kishte kërkuar që në vitin 2023 vendosjen e masave kufizuese ndaj Radoiçiqit, por sipas tij, këto kërkesa duhet të shndërrohen në veprime konkrete.
Konjufca ka theksuar se vendosja e drejtësisë për sulmin në Banjskë është thelbësore për parandalimin e sulmeve të tjera dhe garantimin e sigurisë afatgjatë në rajon.
Kryediplomati kosovar ka kritikuar edhe paraqitjen publike të Radoiçiqit në një tubim politik të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Kragujevc, ku ai u pa pranë Danilo Vuçiqit, djalit të ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Sipas Konjufcës, paraqitja e tij në aktivitete politike, pavarësisht akuzave që rëndojnë mbi të, dëshmon vazhdimësinë e mbështetjes politike që ai gëzon në Serbi.
Radoiçiqi e ka pranuar publikisht se ka organizuar grupin e armatosur serb që kreu sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, por ka mohuar përfshirjen e autoriteteve shtetërore serbe.
Gjatë atij sulmi u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa në përleshjet që pasuan humbën jetën edhe tre pjesëtarë të grupit sulmues.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave lidhur me sulmin, përfshirë Radoiçiqin.
Më 24 prill 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi në shkallë të parë Bllagoje Spasojeviqin dhe Vlladimir Tolliqin me burgim të përjetshëm, ndërsa Dushan Maksimoviqin me 30 vjet burgim.
Pjesa tjetër e të akuzuarve, përfshirë Radoiçiqin, vazhdojnë të jenë jashtë juridiksionit të autoriteteve të Kosovës.
Ndërkohë, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka konfirmuar më 12 tetor se hetimet ndaj Radoiçiqit janë ende në vazhdim dhe se nuk është ngritur aktakuzë ndaj tij në Serbi për sulmin në Banjskë.
Edhe Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për mosndjekjen penale të përgjegjësve në Serbi. Parlamenti Evropian, në rezolutën e tetorit 2023, i kishte kërkuar Beogradit bashkëpunim të plotë me hetimet, përfshirë mundësinë e ekstradimit të të dyshuarve në Kosovë.
Në intervistë, Konjufca ka paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e një përshkallëzimi të ri të situatës së sigurisë, duke përmendur grumbullimin e mundshëm të forcave ushtarake serbe pranë kufirit dhe sulmet ndaj infrastrukturës kritike.
Ai ka theksuar rëndësinë e pranisë së NATO-s përmes KFOR-it dhe bashkëpunimit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët evropianë.
Kosova e akuzon Serbinë për përfshirje shtetërore në organizimin e sulmit në Banjskë, ndërsa autoritetet serbe i mohojnë këto akuza.







