Mbi 50 thasë me mbeturina janë mbledhur gjatë një aksioni pastrimi të organizuar në Rrugën Tirana në Prishtinë, me pjesëmarrjen e punonjësve të Hilton Prishtina dhe vullnetarëve të organizatës Let’s Do It Kosova.
Sipas njoftimit të organizatorëve, aktiviteti është realizuar në kuadër të iniciativës ndërkombëtare “Travel with Purpose” të Hilton, e cila synon të mbështesë qëndrueshmërinë mjedisore dhe të nxisë angazhimin e komuniteteve lokale.
Gjatë aksionit, pjesëmarrësit kanë larguar mbeturinat e grumbulluara përgjatë rrugës, duke mbledhur mbi 50 thasë dhe duke kontribuar në përmirësimin e pastërtisë së kësaj zone të kryeqytetit.
Organizatorët kanë falënderuar të gjithë punonjësit dhe vullnetarët për angazhimin, energjinë dhe kontributin e dhënë gjatë aktivitetit.
Ata kanë theksuar se bashkëpunimi ndërmjet bizneseve dhe qytetarëve mund të sjellë ndryshime pozitive në mjedis dhe të nxisë përgjegjësinë e përbashkët për hapësirat publike.
Iniciativa “Travel with Purpose” është pjesë e strategjisë globale të Hilton për përgjegjësinë shoqërore dhe mjedisore, përmes së cilës kompania mbështet projekte që synojnë forcimin e komuniteteve dhe mbrojtjen e mjedisit.







