Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, së bashku me bashkëpunëtorë të partisë, ka bërë homazhe në Skenderaj në nderim të heroit Idriz Rrecaj, mbetjet mortore të të cilit u identifikuan pas 27 vjetësh.
Përmes një postimi në Facebook, të shtunën, më 17 tetor, Abdixhiku e ka kujtuar Rrecajn si intelektual, veprimtar të çështjes kombëtare dhe një ndër themeluesit e Degës së LDK-së në Skenderaj, ku kishte shërbyer edhe si kryetari i parë.
Ai ka theksuar se kontributi i Rrecajt është pjesë e rëndësishme e historisë së LDK-së, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve për liri e pavarësi.
“Idriz Rrecaj ishte pjesë e brezit që mori përgjegjësi për organizimin politik e kombëtar në ditët më të vështira për Kosovën”, ka shkruar Abdixhiku.
Kreu i LDK-së ka kujtuar gjithashtu rrëmbimin e Rrecajt nga forcat serbe në prill të vitit 1999, së bashku me pjesëtarë të tjerë të grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”.
“I rrëmbyer nga forcat serbe në prill të vitit 1999, bashkë me pjesëtarët e grupit të intelektualëve shqiptarë, ai u kthye pas 27 vjetësh në tokën e Kosovës së lirë”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ka bërë të ditur se gjatë homazheve i kanë shprehur ngushëllime familjes Rrecaj, duke vlerësuar qëndresën e saj gjatë gjithë këtyre viteve të pritjes.
“Për 27 vjet na mungoi varri i tij, por emri dhe vepra e Idriz Rrecajt mbetën mes nesh. Sot e nderojmë në liri, me detyrimin që sakrifica e tij të mos harrohet dhe krimi ndaj tij të mos mbetet pa drejtësi”, ka shkruar ai.
Mbetjet mortore të Idriz Rrecajt u gjetën në një varrezë masive në Zubin Potok dhe u identifikuan përmes analizave të ADN-së.
Më 16 tetor, në Skenderaj u organizua akademia përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina”, ndërsa ceremonia e rivarrimit u mbajt në Varrezat e Dëshmorëve në Marinë.
Rrecaj, i cili ishte rrëmbyer më 19 prill 1999, ishte mësues, inxhinier i bujqësisë dhe veprimtar i çështjes kombëtare. Në vitin 2019, ai u dekorua me urdhrin “Hero i Kosovës”.







