Home > Lajme > Tahiri kritikon Qeverinë Kurti: Pa program, pa identitet dhe pa letërnjoftim politik

Tahiri kritikon Qeverinë Kurti: Pa program, pa identitet dhe pa letërnjoftim politik

///
Comments are Off

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka kritikuar Qeverinë e Albin Kurtit, duke pretenduar se ende nuk ka paraqitur një program të plotë qeverisës për diskutim publik dhe parlamentar.

Përmes një reagimi në Facebook, të shtunën, më 17 tetor, Tahiri ka theksuar se kanë kaluar mbi katër muaj nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, ndërsa, sipas tij, ekzekutivi nuk ka ofruar një vizion të qartë për zhvillimin e vendit.

Ai ka kritikuar edhe agjendën legjislative të Qeverisë, duke vlerësuar se një listë projektligjesh nuk mund ta zëvendësojë një strategji të mirëfilltë qeverisëse.

“Një qeveri pa program është pa identitet, ndërsa një qeveri pa prioritete legjislative mbetet edhe pa letërnjoftim politik”, ka shkruar Tahiri.

Sipas deputetit opozitar, shqetësimi nuk kufizohet vetëm te mungesa e një dokumenti, por edhe te çështjet për të cilat, sipas tij, qytetarët dhe bizneset ende nuk kanë marrë përgjigje konkrete.

Tahiri ka përmendur sektorin e energjisë, gjendjen ekonomike, mirëqenien e qytetarëve, sektorin privat dhe sfidat e integrimit ndërkombëtar si fusha që kërkojnë prioritete dhe masa të qarta.

“Problemi nuk është vetëm mungesa e një dokumenti, por mungesa e përgjigjeve ndaj problemeve në energji, ekonominë, mirëqenien e qytetarëve, sektorin privat dhe sfidat integruese”, ka deklaruar ai.

Reagimin e ka përmbyllur me kritika ndaj mënyrës së qeverisjes, duke shkruar se “Gjithçka po mbetet në improvizim”.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka miratuar më 6 tetor Programin e Projektligjeve për vitet 2026–2028, i cili përmban nismat legjislative të planifikuara nga ministritë dhe afatet përkatëse.

Po ashtu, kryeministri Albin Kurti kishte paraqitur ekspozenë e tij qeverisëse në Kuvend më 13 shtator, gjatë seancës në të cilën u votua kabineti i ri qeveritar.

Në atë paraqitje, Kurti kishte prezantuar zotimet dhe prioritetet në fusha të ndryshme, duke deklaruar se Qeveria ka program të qartë dhe masa të përcaktuara për mandatin e ri.

Megjithatë, kritika e Tahirit lidhet me mungesën, sipas tij, të një dokumenti të plotë programor të paraqitur për diskutim publik dhe parlamentar, si dhe me përmbajtjen e prioriteteve qeverisëse.

Verified by MonsterInsights