Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas raportimeve për deklaratën e saj lidhur me protestat në Shqipëri, duke thënë se disa media ia kanë shtrembëruar fjalët.
Përmes një postimi në Facebook, të hënën, më 19 tetor, Haxhiu ka publikuar videon e plotë të deklarimit që kishte dhënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Ajo ka sqaruar se deklarata e saj për arrogancën dhe protestat ishte një qëndrim i përgjithshëm për mënyrën se si institucionet duhet t’u qasen pakënaqësive qytetare, e jo një akuzë ndaj autoriteteve të Shqipërisë.
“Kur kam thënë se arroganca vetëm i nxit protestat, kam folur për mënyrën si duhet t’u qasemi protestave në përgjithësi, me seriozitet dhe me gatishmëri për të dëgjuar. Ky ishte një qëndrim parimor, jo gjykim për shkaqet e protestave apo akuzë ndaj ndonjë institucioni në Shqipëri”, ka shkruar Haxhiu.
Kryeparlamentarja ka përsëritur se zhvillimet në Shqipëri janë shqetësuese dhe kërkojnë trajtim serioz.
Sipas saj, kërkesat e studentëve dhe protestuesve duhet të dëgjohen nga institucionet përkatëse, ndërsa dhuna duhet të ndalet nga të dyja palët.
Haxhiu ka theksuar gjithashtu lidhjen e veçantë që qytetarët e Kosovës kanë me Shqipërinë, duke bërë thirrje për maturi dhe dialog.
“Si shqiptare e Kosovës, për të cilën Shqipëria është shtëpi, u kërkoj të gjitha palëve që me maturi të gjejnë rrugën përpara. Besoj se përmes dialogut, ndasitë mund të tejkalohen dhe qetësia të rikthehet sa më shpejt”, ka deklaruar ajo.
Çfarë kishte thënë Haxhiu më herët?
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Haxhiu ishte pyetur nga gazetarët për protestat që po zhvillohen prej disa ditësh në Shqipëri.
Ajo kishte kërkuar që institucionet shqiptare t’i trajtojnë kërkesat e studentëve dhe kishte theksuar se arroganca mund t’i nxisë më tej protestat.
Në të njëjtin deklarim, kryeparlamentarja kishte dënuar dhunën si nga protestuesit, ashtu edhe nga forcat policore.
Haxhiu kishte mohuar gjithashtu që Lëvizja Vetëvendosje të kishte bërë thirrje zyrtare për pjesëmarrje në protestat në Shqipëri, duke theksuar se partia nuk mund të mbahet përgjegjëse për vendimet individuale të mbështetësve të saj.
Reagimi i saj i fundit synon të sqarojë interpretimin e deklaratës së paradites, në kohën kur protestat studentore në Shqipëri vazhdojnë të shoqërohen me tensione dhe përplasje me Policinë.







