Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar mangësi në procedurat e identifikimit të foshnjave në Spitalin Amerikan 2 në Graçanicë, pas rastit kur një nëne i ishte dorëzuar një foshnjë tjetër në vend të fëmijës së saj.
Ngjarja kishte ndodhur më 18 mars 2026, ndërsa pas publikimit të rastit janë zbuluar edhe parregullsi në mënyrën se si Inspektorati Shëndetësor e kishte trajtuar atë.
Në përgjigjen e dhënë për Gazetën Sinjali më 20 tetor, Ministria ka bërë të ditur se inspektimi ka evidentuar mangësi në procedurat e identifikimit dhe verifikimit të foshnjës gjatë dorëzimit te nëna.
Si kishte ndodhur ndërrimi i foshnjave?
Sipas dokumenteve të inspektimit, të publikuara fillimisht nga Veriu.info, foshnja ishte marrë nga personeli mjekësor disa orë pas lindjes, ndërsa të nesërmen nënës i ishte sjellë një foshnjë tjetër.
Nëna kishte vërejtur se fëmija nuk ishte i saj dhe kishte kërkuar sqarime nga stafi. Megjithatë, sipas raportit të inspektimit, shqetësimi i saj fillimisht nuk ishte marrë seriozisht.
Vetëm pas insistimit të prindërve ishte kontrolluar shiriti identifikues i foshnjës, ku ishte konstatuar se ajo i përkiste një pacienteje tjetër.
Pas ankesës së familjes, Inspektorati Shëndetësor kishte zhvilluar kontroll në spital, duke evidentuar mangësi në zbatimin e procedurave për sigurinë dhe identifikimin e të porsalindurve.
Çfarë u konstatua për infermieren?
Gjatë kontrollit të dokumentacionit, Inspektorati kishte konstatuar se infermierja e përfshirë në rast nuk ishte e deklaruar në sistemin e Departamentit të Licencimit dhe Akreditimit.
Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë ka sqaruar se infermierja posedonte licencë të vlefshme profesionale. Problemi i konstatuar kishte të bënte me mosdeklarimin e saj në sistemin përkatës.
Ky sqarim vjen pasi raportimet fillestare e kishin përshkruar infermieren si të palicencuar.
Masa edhe ndaj zyrtarëve të Inspektoratit
Ministria ka konfirmuar se mangësi janë evidentuar edhe në veprimet e zyrtarëve të Inspektoratit Shëndetësor, të cilët kishin trajtuar rastin.
Për këtë arsye, Kryeinspektori Shëndetësor ka ndërmarrë tri veprime: inspektorja përgjegjëse për rastin është referuar në Komisionin Disiplinor për shqyrtimin e shkeljes së dyshuar, zyrtarit të arkivit i është shqiptuar vërejtje me shkrim, ndërsa përgjegjësit të Inspektoratit i është shqiptuar vërejtje me gojë.
Referimi i inspektores në Komisionin Disiplinor nuk nënkupton se përgjegjësia e saj disiplinore tashmë është vërtetuar.
Më herët, Inspektorati Shëndetësor i kishte shqiptuar Spitalit Amerikan 2 vetëm vërejtje me shkrim për rastin, pa vendosur gjobë.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili ka deklaruar se të gjitha shkeljet e identifikuara duhet të trajtohen me masa adekuate, sipas legjislacionit në fuqi.
Ai ka theksuar se nuk do të tolerohen lëshimet institucionale dhe se rasti është proceduar për shqyrtim disiplinor.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka shprehur keqardhje për shqetësimin e shkaktuar familjes dhe ka njoftuar se institucionet përgjegjëse do të monitorojnë zbatimin e masave dhe rekomandimeve.
Nga Spitali Amerikan 2, në një përgjigje të raportuar nga Lajmi.net, është thënë se shqetësimet e pacientëve trajtohen me përkushtim dhe se rasti po shqyrtohej.







