Marrëdhëniet mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, janë rikthyer në vëmendje në kohën kur protestat në Shqipëri kanë nxitur reagime edhe nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në këtë kontekst, vëmendje merr një deklaratë e mëhershme e Ramës, i cili kishte treguar se kishte ngrënë shpageta me Kurtin në kohën kur ky i fundit ishte angazhuar në mbështetje të kandidatëve të Vetëvendosjes në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri.
Gjatë një interviste për Nacionale në maj të vitit 2024, Rama kishte folur për dallimet politike me Kurtin dhe mënyrën se si i menaxhonte marrëdhëniet personale me të.
“Ditën që Albini ka ardhë me i prezantu kandidatët, ka ngrënë shpageta me mu. Dhe do të hajë prapë kur të vijë të prezantoje kandidatët”, kishte deklaruar Rama.
Kryeministri shqiptar kishte theksuar se nuk synonte të përfshihej në garat partiake në Kosovë, pavarësisht angazhimit të Kurtit në politikën shqiptare.
Ai e kishte përshkruar Kurtin si një politikan të angazhuar vazhdimisht në aktivitete opozitare, ndërsa kishte lënë të kuptohej se dallimet politike nuk e pengonin komunikimin mes tyre.
Deklarata e vjetër merr një kontekst të ri pas zhvillimeve të fundit në Shqipëri, ku protestat studentore dhe antiqeveritare janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit.
Më 19 tetor, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, komentoi protestat në Shqipëri, duke kërkuar nga institucionet shqiptare që t’i dëgjojnë kërkesat e studentëve.
Ajo theksoi se dhuna duhet të ndalet si nga protestuesit, ashtu edhe nga Policia, ndërsa paralajmëroi se qasja arrogante e institucioneve mund t’i shtojë tensionet.
E pyetur për përfshirjen e mundshme të mbështetësve të Vetëvendosjes në protesta, Haxhiu deklaroi se partia nuk ka bërë thirrje zyrtare për pjesëmarrje.
Sipas saj, pjesëmarrja eventuale e simpatizantëve në protesta nuk nënkupton se ata veprojnë me udhëzim të subjektit politik.
Rama dhe Kurti kanë pasur dallime publike për çështje të ndryshme rajonale, përfshirë dialogun Kosovë-Serbi dhe bashkëpunimin ndërmjet dy qeverive.
Megjithatë, në korrik të këtij viti, Rama kishte deklaruar se marrëdhënia e tij personale me Kurtin është më e afërt sesa mund të perceptohet nga publiku.
Pavarësisht diskutimeve dhe kujtimit të deklaratës për shpagetat, deri më tani nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për një takim të ri mes dy kryeministrave.







