Pjesëmarrës të ulur rreth një tavoline në selinë e PDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka mbledhur Kryesinë e partisë të mërkurën, më 21 tetor, përpara një konference të paralajmëruar për media.

Konferenca ishte planifikuar të fillonte në orën 14:00, në selinë qendrore të PDK-së në Prishtinë. Megjithatë, sipas informacioneve të publikuara në orën 14:19, ajo ende nuk kishte nisur.

Deri në atë moment, nuk ishte bërë e ditur arsyeja e thirrjes së mbledhjes së Kryesisë dhe as temat për të cilat Hamza do të fliste para gazetarëve.

Këto zhvillime vijnë në kohën kur është diskutuar mundësia e largimit të Bedri Hamzës nga drejtimi i PDK-së.

Ditë më parë, më 18 tetor, Zyra për Informim e PDK-së kishte sqaruar se nuk ekzistonte ndonjë vendim zyrtar për dorëheqjen e Hamzës.

Sipas partisë, Hamza ka bërë të ditur publikisht se, me hapjen e procesit të zgjedhjeve të brendshme, do të japë dorëheqje dhe nuk do të rikandidojë për kryetar.

PDK-ja kishte theksuar gjithashtu se çdo vendim dhe zhvillim zyrtar brenda subjektit do të bëhet publik në kohën e duhur.

Mbetet të shihet nëse konferenca e Hamzës do të sjellë sqarime lidhur me drejtimin e ardhshëm të PDK-së apo do të trajtojë çështje të tjera politike.

Lexo edhe: Hamza pas dorëheqjes nga kreu i PDK-së: Nuk po largohem nga partia