Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të mërkurën në takim kryetarin e Kuvendit Komunal të Bujanocit, Driton Rexhepi, dhe kryeshefin për Arsim në këtë komunë, Agim Hasani.
Gjatë takimit, dy zyrtarët kanë shprehur mbështetjen e tyre për angazhimin e Kurtit në bashkimin e subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, në kuadër të “Koalicionit Shqiptar”.
Ky koalicion garon me numrin 17 në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, të cilat pritet të mbahen më 25 tetor.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, gjatë takimit është theksuar rëndësia e bashkëpunimit dhe bashkërendimit politik për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar barazisë, arsimit në gjuhën shqipe dhe krijimit të kushteve që shqiptarët të kenë mundësi të ndërtojnë të ardhmen në vendlindjen e tyre.
Nga Qeveria e Kosovës është ritheksuar përkushtimi për të vazhduar mbështetjen ndaj komunitetit shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Takimi zhvillohet në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, pasi më 29 shtator përfaqësuesit e disa subjekteve politike shqiptare arritën marrëveshje për krijimin e një liste të përbashkët zgjedhore.
Marrëveshja synon bashkimin e votës shqiptare dhe forcimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve në institucionet e Serbisë.







