Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Millorad Gjokoviqin për krime lufte kundër popullsisë civile shqiptare në fshatin Ozdrim të Pejës dhe në zonat përreth, duke e dënuar me 10 vjet burgim.
Aktgjykimi është shpallur të mërkurën, më 21 tetor 2026, nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Donika Shala-Abdyli, me anëtarë Kushtrim Shytin dhe Vesel Ismailin.
Sipas vendimit të shkallës së parë, Gjokoviqi është gjetur fajtor për shkelje të së drejtës ndërkombëtare gjatë luftës në Kosovë, më 7 maj 1999, në fshatin Ozdrim të Komunës së Pejës, ku kishte vepruar në cilësinë e policit rezervë së bashku me persona të tjerë.
Gjykata ka shqiptuar dënimin prej 10 vjetësh burgim në bazë të Ligjit Penal të ish-Jugosllavisë, ndërsa në dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale, e përpiluar më 23 qershor 2023, e ngarkonte Gjokoviqin për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë gjatë viteve 1998-1999, përfshirë vrasje, bastisje, rrahje, arrestime, tortura, trajtim çnjerëzor dhe dëbim të popullsisë.
Sipas aktakuzës, gjatë ofensivës së forcave serbe në Ozdrim, gjashtë civilë shqiptarë u vranë nga të shtënat me armë zjarri. Tre civilë të tjerë, të cilët fillimisht ishin plagosur dhe dërguar në Spitalin e Pejës, më pas ishin ekzekutuar dhe varrosur në fshatin Lutogllavë.
Prokuroria kishte përshkruar gjithashtu vrasjen e pesë civilëve të tjerë shqiptarë gjatë ofensivës, trupat e të cilëve nuk ishin gjetur dhe të cilët figuronin si persona të zhdukur.
Në dosjen e Prokurorisë përmenden edhe arrestimet e dhjetëra civilëve shqiptarë, mbajtja e tyre në kushte çnjerëzore dhe transferimi i një pjese në burgje në Serbi.
Gjokoviqi ishte arrestuar më 27 qershor 2022, ndërsa gjatë procesit gjyqësor nuk e kishte pranuar fajësinë për akuzat që i ngarkoheshin.
Procesi gjyqësor kishte kaluar edhe nëpër faza të tjera procedurale. Më 27 korrik 2026, Gjykata Themelore kishte vendosur ta rihapte shqyrtimin gjyqësor për shkak të nevojës për sigurimin e një deklarate të dëshmitares Nurije Krasniqi, e cila kishte thënë se pas luftës kishte dëshmuar në polici.
Me vendimin e shpallur më 21 tetor, Gjykata Themelore ka përfunduar gjykimin në shkallë të parë, ndërsa aktgjykimi mund t’i nënshtrohet shqyrtimit në instancat më të larta në rast të paraqitjes së ankesës.







