Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar një paketë masash të reja ndaj personave që përfshihen në akte dhune gjatë protestave, duke përfshirë krijimin e një liste të zezë në sistemin TIMS, kufizime të mundshme të udhëtimit dhe përgjegjësi financiare për familjet e të miturve që shkaktojnë dëme.
Paralajmërimi vjen pas protestave të ditëve të fundit në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, të cilat janë shoqëruar me përplasje me policinë, dëmtime të institucioneve publike dhe shkatërrim të pronës private.
Gjatë një takimi me drejtuesit e sistemit bankar, të mërkurën, më 21 tetor, Rama ka bërë të ditur se qeveria po përgatit një paketë me masa penale dhe administrative, me synimin që personat përgjegjës për dëmet të përballen edhe me pasoja financiare.
Sipas paralajmërimeve, një nga masat që po shqyrtohet është krijimi i një regjistri të posaçëm për personat e identifikuar si pjesëmarrës në akte dhune. Në këtë kuadër, po diskutohet edhe përfshirja e tyre në një listë të zezë në sistemin TIMS, që mund të ndikojë në mundësinë e udhëtimit jashtë Shqipërisë.
Rama ka deklaruar se autoritetet shqiptare kanë nisur bashkëpunimin me shtetet e Bashkimit Evropian për kufizimin e hyrjes së personave të identifikuar si të dhunshëm. Megjithatë, vendimet për lejimin ose ndalimin e hyrjes në shtetet evropiane mbeten në kompetencën e autoriteteve përkatëse.
Kryeministri ka paralajmëruar gjithashtu kufizime të mundshme në përdorimin e aeroporteve, hoteleve, trenave dhe mjeteve të tjera të transportit për personat që përfshihen në akte të dhunshme.
Një pjesë e masave të propozuara prek edhe familjet e të miturve që shkaktojnë dëme materiale gjatë protestave.
“Do të vijë fatura në familje, do të paguajë familja”, ka paralajmëruar Rama, duke shtuar se po shqyrtohen edhe kufizime të shërbimeve shtetërore për familjet e të miturve që dëmtojnë pronën e të tjerëve.
Në sektorin e arsimit, qeveria po shqyrton heqjen e bursave dhe mbështetjes financiare shtetërore për studentët që përfshihen në akte dhune ndaj policisë. Masa administrative janë paralajmëruar edhe për mësuesit që nxisin nxënësit drejt veprimeve të dhunshme.
Rama ka paralajmëruar përdorimin e teknologjisë për identifikimin e personave që marrin pjesë në incidente me fytyrë të mbuluar, si dhe të profileve anonime në rrjetet sociale që nxisin dhunë.
Paralajmërimet vijnë pas dëmeve të konsiderueshme të shkaktuara gjatë protestave. Vetëm në Tiranë janë raportuar dëmtime në 38 degë bankare dhe 42 bankomate.
Megjithatë, paketa e masave ende nuk është publikuar në formën e saj përfundimtare. Nuk janë sqaruar plotësisht procedurat e zbatimit dhe baza ligjore për disa prej kufizimeve të paralajmëruara, veçanërisht ato që lidhen me shërbimet shtetërore dhe lirinë e lëvizjes.
Ndërkohë, protestat kundër qeverisë po vazhdojnë, me studentë dhe qytetarë që kërkojnë ndryshime në arsim dhe përgjegjësi politike. Rama ka përsëritur gatishmërinë për dialog me protestuesit paqësorë, ndërsa ka paralajmëruar masa ndaj atyre që ushtrojnë dhunë.







