Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka pritur në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajorin italian Roberto Vergori, me të cilin ka diskutuar për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë.
Takimi është zhvilluar të enjten, më 22 tetor, ndërsa ambasadori britanik ka ritheksuar përkushtimin e vendit të tij për ta mbështetur misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
Përmes një postimi në Facebook, Hargreaves ka vlerësuar kontributin shumëvjeçar të Mbretërisë së Bashkuar në KFOR, duke konfirmuar vazhdimin e mbështetjes për këtë mision.
“Mbretëria e Bashkuar është krenare për kontributin e saj të gjatë në KFOR dhe mbetet e përkushtuar fort për të mbështetur misionin e saj”, ka deklaruar ambasadori.
Takimi vjen pak ditë pasi gjeneralmajori Roberto Vergori mori zyrtarisht drejtimin e KFOR-it, më 14 tetor 2026, duke pasuar gjeneralmajorin turk Özkan Ulutaş.
Ceremonia e ndërrimit të komandës u mbajt në selinë e KFOR-it në Prishtinë, në praninë e përfaqësuesve të NATO-s, institucioneve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Gjatë marrjes së detyrës, Vergori kishte theksuar përkushtimin e KFOR-it për përmbushjen e mandatit dhe krijimin e kushteve për paqe e stabilitet afatgjatë.
Mbretëria e Bashkuar vazhdon mbështetjen për KFOR-in
Mbretëria e Bashkuar është ndër vendet që kanë kontribuar në misionin e KFOR-it që nga vendosja e forcave të NATO-s në Kosovë, në qershor të vitit 1999.
Në tetor të vitit 2025, qeveria britanike konfirmoi vazhdimin e mbështetjes ushtarake për KFOR-in të paktën deri në dhjetor të vitit 2028.
Ky angazhim përfshin mbajtjen në gatishmëri të qindra ushtarëve britanikë, të cilët mund të dislokohen në Kosovë nëse paraqitet nevoja.
KFOR-i vazhdon të veprojë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me mandat për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Në përmbushjen e këtij mandati, misioni bashkëpunon me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me përgjegjësitë përkatëse të sigurisë.






