Naim Murseli, i dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, do të përballet sërish me drejtësinë më 29 tetor 2026, kur Gjykata e Apelit do të shqyrtojë ankesat ndaj aktgjykimit të shkallës së parë.

Gjykata e Apelit ka njoftuar të enjten, më 22 tetor, se seanca e planifikuar fillimisht për orën 09:50 është zhvendosur në orën 11:10, ndërsa data e mbajtjes së saj mbetet e pandryshuar.

Ndryshimi i orarit është bërë me kërkesë të mbrojtjes së Murselit, për shkak të angazhimit të njërit prej përfaqësuesve të tij ligjorë në një çështje tjetër në Gjykatën Supreme.

Murseli kërkon prishjen e aktgjykimit ose dënim më të lehtë

Përmes një ankese prej 30 faqesh, të dorëzuar nga dy avokatët e tij, Murseli kërkon që Gjykata e Apelit ta prishë aktgjykimin e shkallës së parë ose ta ndryshojë atë duke i shqiptuar një dënim më të butë.

Në ankesë, mbrojtja pretendon se Gjykata Themelore i ka vlerësuar provat në mënyrë të njëanshme dhe selektive.

Avokatët kanë ngritur pretendime edhe lidhur me mënyrën se si Murseli është marrë në pyetje nga Policia, duke kundërshtuar njëkohësisht mospranimin e disa propozimeve të tyre gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Mes kërkesave të mbrojtjes që pretendohet se nuk janë marrë parasysh përmenden rindërtimi i vendit të ngjarjes dhe ekzaminimi i rrobave që Murseli kishte veshur në kohën kur ndodhi vrasja.

Edhe familja e Liridonës ka paraqitur ankesë

Në Gjykatën e Apelit ka paraqitur ankesë edhe familja e Liridona Ademajt, përmes avokatit Leotrim Syla.

Familja po kërkon që dënimi prej 30 vjetësh burgim, i shqiptuar ndaj Kushtrim Kokallës, të ndryshohet në burgim të përjetshëm.

Sipas përfaqësuesit të familjes, gjykata e shkallës së parë nuk i ka vlerësuar si duhet rrethanat rënduese gjatë përcaktimit të dënimit ndaj Kokallës.

Si u dënuan të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt?

Më 21 prill 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli fajtorë Naim Murselin dhe Granit Plavën për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, duke i dënuar të dy me burgim të përjetshëm.

Kushtrim Kokalla u dënua me 30 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, vrasja e Liridona Ademajt ishte planifikuar nga Murseli, ndërsa Granit Plava ishte personi që kishte qëlluar me armë zjarri. Gjykata konstatoi se Kokalla kishte ndihmuar në realizimin e planit.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në fshatin Bërnicë të Prishtinës, në një ngjarje që fillimisht ishte paraqitur si grabitje.

Tashmë, më 29 tetor, Kolegji i Apelit pritet të shqyrtojë pretendimet e palëve dhe ligjshmërinë e aktgjykimit të kundërshtuar. Deri në një vendim tjetër, dënimet e shqiptuara nga shkalla e parë mbeten të pandryshuara.