Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, pritet ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i cili ishte miratuar më 6 tetor me 88 vota të deputetëve.

Sipas informacioneve të raportuara nga burime brenda Presidencës, para marrjes së vendimit pritet të zhvillohet një takim mes presidentes dhe përfaqësuesve të partive politike, ku do të diskutohen hapat e mëtejshëm lidhur me ligjin.

Ndërkohë, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) i ka kërkuar zyrtarisht presidentes që ta kthejë ligjin në Kuvend.

Përmes një letre zyrtare, PDK-ja ka kërkuar plotësimin e disa dispozitave ligjore, duke vlerësuar se rishqyrtimi do të mundësonte forcimin e sigurisë juridike dhe garantimin e të drejtave kushtetuese të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Në komunikatën e saj, PDK-ja ka theksuar se pjesa më e madhe e ligjit tashmë është finalizuar dhe se nuk kërkohet nisja e procesit nga fillimi.

Partia ka kërkuar që rishqyrtimi të bëhet në Kuvend dhe jo përmes rikthimit të projektligjit në Qeveri.

Gjithashtu, PDK-ja ka ftuar ekspertët juridikë, përfshirë Avokatin e Popullit, të paraqesin propozime konkrete për përmirësimin e dispozitave.

Sipas këtij subjekti, synimi është që ligji të miratohet sërish brenda pak javësh, pa vonesa të panevojshme.

Çfarë ndryshimesh parasheh Ligji për Specialen?

Ndryshimet e miratuara nga Kuvendi përfshijnë kufizimin e dënimit maksimal me burgim në 15 vjet, mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë, faljen presidenciale dhe ndryshime në procedurat e ankimimit.

Megjithatë, këto ndryshime kanë nxitur reagime nga Bashkimi Evropian.

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, i ka cilësuar ndryshimet të papranueshme, duke paralajmëruar se miratimi dhe zbatimi i tyre do të binin ndesh me zotimet e Kosovës ndaj BE-së dhe do të përbënin hap prapa në rrugën e integrimit evropian.