Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka kërkuar zyrtarisht presidentes Justina Shiroka-Pula që ta kthejë në Kuvend për rishqyrtim Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i miratuar më 6 tetor.
Kërkesa është paraqitur të enjten, më 22 tetor, përmes një letre zyrtare të Grupit Parlamentar të PDK-së, vetëm një ditë para përfundimit të afatit kushtetues për vendimin e presidentes.
Sipas PDK-së, pas konsultimeve të zhvilluara është vlerësuar se disa dispozita të ligjit kanë nevojë për plotësim, në mënyrë që të forcohet siguria juridike dhe të garantohen të drejtat kushtetuese të ish-pjesëtarëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Partia ka theksuar se pjesa më e madhe e ligjit tashmë është finalizuar dhe se rikthimi në Kuvend synon vetëm shqyrtimin profesional të dispozitave që mund të paraqesin pengesa gjatë zbatimit.
PDK-ja ka sqaruar se nuk kërkon kthimin e ligjit në Qeveri apo nisjen e procesit legjislativ nga fillimi.
PDK-ja thotë se nuk po tërhiqet nga ligji
Pavarësisht kërkesës për rishqyrtim, PDK-ja ka bërë të qartë se vazhdon ta mbështesë nismën e saj për ndryshimin e Ligjit për Specialen.
“Gatishmëria për ta përmirësuar ligjin nuk është në asnjë mënyrë tërheqje prej tij”, thuhet në njoftimin e partisë.
Ky subjekt politik ka ftuar ekspertët juridikë, përfshirë Avokatin e Popullit, që të paraqesin propozime konkrete për plotësimin e dispozitave.
PDK-ja pret që ligji të miratohet sërish brenda pak javësh, duke kërkuar që procesi të mos shoqërohet me vonesa të panevojshme.
Njëkohësisht, partia ka paralajmëruar vazhdimin e angazhimit për një strategji të përbashkët shtetërore lidhur me procesin e apelit në Hagë, sigurimin e fondeve dhe mbështetjen profesionale për ekipet mbrojtëse.
Çfarë ndodh nëse presidentja e kthen ligjin?
Kuvendi i Kosovës i miratoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara më 6 tetor, me 88 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Ligji iu përcoll presidentes për shpallje më 15 tetor, ndërsa afati për vendimmarrje përfundon më 23 tetor.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidentja ka të drejtë ta kthejë një ligj për rishqyrtim vetëm një herë, duke paraqitur arsyet e vendimit.
Nëse ligji kthehet, Kuvendi mund ta miratojë përsëri me votat e shumicës së të gjithë deputetëve, përkatësisht me të paktën 61 vota.
Deri më tani, nuk është konfirmuar një vendim zyrtar i presidentes për kthimin e ligjit.






