Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur të enjten në takim kryetarin e Gjykatës Kushtetuese Federale të Gjermanisë, Stephan Harbarth, me të cilin ka diskutuar për sundimin e ligjit, mbrojtjen e rendit kushtetues dhe diasporën kosovare në Gjermani.
Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit të 22 tetorit janë shkëmbyer mendime për rëndësinë e garantimit të të drejtave dhe lirive themelore, si dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Gjermanisë.
Një nga temat e diskutuara ka qenë edhe diaspora e Kosovës në Gjermani, me theks të veçantë te edukimi, integrimi dhe kontributi i saj në shoqërinë gjermane.
Në takim është vlerësuar roli që komuniteti kosovar luan në jetën ekonomike dhe shoqërore të Gjermanisë, si dhe rëndësia e integrimit dhe arsimimit të tij.
Takimi është zhvilluar në ditën kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shënuar 17-vjetorin e themelimit përmes një konference ndërkombëtare në Prishtinë.
Në këtë konferencë, ku Harbarth ishte folësi kryesor, mori pjesë edhe presidentja Shiroka-Pula, e cila theksoi rëndësinë e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë dhe respektimit të vendimeve kushtetuese.
Ajo deklaroi se mbrojtja e Kushtetutës dhe respektimi i kufijve të pushtetit janë përgjegjësi themelore të institucioneve demokratike.
Konferenca mblodhi përfaqësues të gjykatave kushtetuese dhe supreme nga disa vende evropiane, me qëllim shkëmbimin e përvojave për mbrojtjen e demokracisë dhe sundimin e ligjit.






