Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, raportohet se u ka kërkuar ministrave të kabinetit të tij që të nisin procedurat për dorëheqjen e të gjithë drejtuesve të institucioneve që janë në varësi të ministrive.

Sipas raportimeve të së enjtes, 22 tetor, Rama i ka kontaktuar ministrat nga Budva e Malit të Zi, ku po merr pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit, duke u kërkuar që t’i mbledhin drejtuesit e institucioneve përkatëse dhe t’u kërkojnë dorëheqje të parevokueshme.

Kërkesa raportohet të jetë përcjellë drejtpërdrejt te ministrat, ndërsa një njoftim publik nga kryeministri pritet të bëhet gjatë ditëve në vijim.

Deri më tani, nuk është publikuar ndonjë listë me emrat e drejtuesve që mund të preken nga kjo nismë, si dhe nuk janë sqaruar afatet për dorëzimin e dorëheqjeve.

Raportimi vjen në një kohë kur Qeveria shqiptare po përballet me protesta dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit.

Ende nuk është sqaruar nëse kërkesa për largimin e drejtorëve lidhet me një riorganizim të administratës publike apo me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.

Rama kishte paralajmëruar masa ndaj drejtuesve të administratës

Vetëm një javë më parë, kryeministri kishte kritikuar drejtuesit e institucioneve që nuk respektojnë afatet ligjore për t’iu përgjigjur kërkesave dhe ankesave të qytetarëve.

Ai kishte paralajmëruar se vonesat dhe moskryerja e detyrave duhet të sjellin përgjegjësi konkrete për zyrtarët.

Rama kishte bërë të ditur se përmes një nisme ligjore do të synohet identifikimi i përgjegjësve për shkeljet e afateve dhe vendosja e masave përkatëse.

Ndërkohë, nuk është konfirmuar ende nëse drejtuesit e institucioneve kanë nisur dorëzimin e dorëheqjeve të kërkuara.

Pritet që gjatë ditëve në vijim të bëhen të ditura hollësi të tjera rreth procesit dhe institucioneve që mund të preken nga këto ndryshime.