Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje nga drejtimi i partisë, pavarësisht kërkesave të fundit për largimin e tij.

Në një intervistë në Klan Kosova, të enjten mbrëma, Abdixhiku ka deklaruar se mandati i tij katërvjeçar përfundon më 19 nëntor 2027 dhe se deri atëherë do të vazhdojë ta udhëheqë LDK-në.

Ai ka rikujtuar se Kuvendi i partisë ia ka rikonfirmuar mandatin, pavarësisht kundërshtimeve dhe kërkesave të vazhdueshme për ndryshime në udhëheqje.

“Sa e pata një Kuvend, për besë. Ma rikonfirmuan. Zërat nuk ndalën asnjëherë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Sipas tij, procesi i ardhshëm zgjedhor në LDK pritet të fillojë në shtator të vitit 2027 dhe të përfundojë në nëntor, kur skadon mandati aktual.

Përparim Rama kërkoi dorëheqjen e Abdixhikut

Deklarata e Abdixhikut vjen pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, konfirmoi se do të kandidojë për kryetar të LDK-së në zgjedhjet e ardhshme të brendshme.

Rama deklaroi më 22 tetor se rezultatet e tij në Prishtinë dëshmojnë gatishmërinë për ta marrë drejtimin e partisë.

Ai kërkoi gjithashtu që Abdixhiku të largohet nga pozita e kryetarit, duke vlerësuar se dorëheqja do të ishte veprimi i duhur.

Rama është zgjedhur dy herë kryetar i Prishtinës nën siglën e LDK-së, në vitet 2021 dhe 2025.

Edhe Arben Gashi kërkon zgjedhje të reja

Për ndryshime brenda partisë është deklaruar edhe deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili ka kërkuar nisjen e një procesi të ri zgjedhor.

Përmes një reagimi publik, Gashi ka theksuar se pas tri palë zgjedhjeve brenda 18 muajve, LDK-ja duhet të reflektojë për drejtimin e saj.

Ai ka propozuar një proces demokratik dhe gjithëpërfshirës, ku secili anëtar të ketë të drejtë të kandidojë ose të rikandidojë për pozitat drejtuese.

Gashi ka kërkuar që strukturat e partisë të ulen dhe të arrijnë marrëveshje për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, me rregulla të barabarta për të gjithë.

Abdixhiku ishte rizgjedhur kryetar i LDK-së në nëntor 2023, ndërsa gjatë vitit 2026 kishte siguruar dy herë mbështetjen e nevojshme për të vazhduar drejtimin e partisë, në votimet e mbajtura më 31 janar dhe 30 korrik.

Pavarësisht kërkesave për dorëheqje, ai vazhdon të mbajë qëndrimin se zgjedhjet e ardhshme të rregullta të partisë duhet të zhvillohen në vitin 2027.