Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar 20 ngrohëse të padeklaruara gjatë kontrollit të një automjeti me targa të Shqipërisë në pikën kufitare në Vërmicë.
Sipas njoftimit të Doganës, automjeti ishte përzgjedhur për kontroll pas analizës së riskut, ndërsa gjatë intervistimit, udhëtari nuk kishte deklaruar se transportonte mallra që duhej t’i paraqiteshin autoritetit doganor.
Për shkak të dyshimeve, zyrtarët doganorë e kanë dërguar automjetin në vijën e dytë të kontrollit, ku gjatë një kontrolli më të hollësishëm janë gjetur 20 ngrohëse me vlerë të përafërt prej 1,200 eurosh, pa përfshirë taksat doganore.
Mallrat janë ndaluar nga Dogana, ndërsa rasti do të trajtohet sipas procedurave administrative dhe legjislacionit në fuqi.
Dogana e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për parandalimin e kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme, mbrojtjen e interesave ekonomike të vendit dhe garantimin e konkurrencës së drejtë në treg.
Nuk janë bërë të ditura të dhëna të tjera lidhur me drejtuesin e automjetit ose masat eventuale ndaj tij.






