Historia e Qamile Marrës, shqiptarja nga Kuçova që sipas dokumenteve të saj ka mbushur 117 vjeç, ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Së fundmi, BBC Global Women i ka kushtuar një videoreportazh gruas që mund të rezultojë më e moshuara në botë.

Qamile Marra jeton në fshatin Ferras, pranë Kuçovës, ndërsa dokumentet e saj të identifikimit tregojnë se ka lindur më 19 gusht 1909, në kohën kur Shqipëria ishte ende nën sundimin e Perandorisë Osmane.

Nëse kjo datëlindje konfirmohet nga ekspertët ndërkombëtarë të jetëgjatësisë, ajo do të ishte dy ditë më e moshuar se britanikja Ethel Caterham, e lindur më 21 gusht 1909, e cila aktualisht njihet nga Guinness World Records si personi më i moshuar në botë që është ende gjallë.

“Jeton aq gjatë sa ka vendosur Zoti”

Në një intervistë për agjencinë AFP, Qamilja ka folur për jetën e saj, duke treguar se ka kaluar pothuajse gjithë vitet në fshat, mes punëve bujqësore, kujdesit për kafshët dhe familjes.

“Jeta është e bukur, si mali i Tomorrit në lulëzim”, është shprehur ajo.

E pyetur për sekretin e jetëgjatësisë, 117-vjeçarja ka dhënë një përgjigje të thjeshtë: “Jeton aq gjatë sa ka vendosur Zoti”.

Pavarësisht moshës, ajo vazhdon të zgjohet herët, të kujdeset për lulet, të ushqejë pulat dhe të shijojë kafenë e mëngjesit.

Shpesh shëtit edhe në pemishten pranë shtëpisë, së bashku me djalin e saj 80-vjeçar, Hysenin.

Sipas të birit, Qamilja gëzon shëndet të mirë dhe nuk ka përdorur barna gjatë jetës së saj.

Ajo ka sjellë në jetë shtatë fëmijë dhe ka parë të rriten pesë breza të familjes. Bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë 36 vjet më parë.

Familja kërkon njohjen e rekordit botëror

Familjarët e Qamile Marrës kanë kontaktuar Guinness World Records për të kërkuar verifikimin e moshës së saj.

Ata disponojnë një certifikatë lindjeje të lëshuar në vitin 1945, një dokument identifikimi nga viti 1978 dhe një letërnjoftim të kohëve të fundit, të cilat shënojnë të njëjtën datëlindje.

Megjithatë, organizata ndërkombëtare LongeviQuest, e specializuar në verifikimin e moshave jashtëzakonisht të mëdha, ka bërë të ditur më 8 tetor se dokumentet e paraqitura deri tani nuk janë të mjaftueshme për ta njohur zyrtarisht si personin më të moshuar në botë.

Ekspertët kërkojnë dokumentacion nga vitet e para të jetës për të konfirmuar me siguri datëlindjen e saj.

Ndërkohë, në fillim të tetorit, Qeveria e Shqipërisë vendosi t’i akordojë një pension të posaçëm shtetëror në njohje të moshës së saj.

Pavarësisht vëmendjes ndërkombëtare dhe mundësisë për t’u bërë mbajtëse e një rekordi botëror, Qamilja vazhdon ta kalojë përditshmërinë pranë familjes, mes natyrës dhe punëve të zakonshme të fshatit.