Policia e Kosovës ka shpallur zyrtarisht në kërkim Albert (Sylejman) Sylajn, të dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila ndodhi më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Përmes një njoftimi të publikuar të hënën, më 26 tetor, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.

Sipas Policisë, Albert Sylaj ka lindur më 12 dhjetor 1984 në Deçan dhe kërkohet për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Shpallja në kërkim dhe publikimi i fotografisë së tij janë bërë me autorizimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që kanë informacione për vendndodhjen e Sylajt të njoftojnë menjëherë Policinë ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.

Për dhënien e informacioneve, Policia ka publikuar këta numra kontakti:

  • 192, numri i Policisë së Kosovës
  • 0800 19999, numër pa pagesë
  • 039 432 327, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë

Shpallja në kërkim lidhet me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë, rast që ka nxitur reagime për shkak se viktima kishte raportuar më herët dhunë në familje dhe kishte urdhër mbrojtjeje.

Pas ngjarjes, Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar raport të detajuar për trajtimin e rasteve të viktimës nga institucionet përgjegjëse, përfshirë masat e ndërmarra për sigurinë e saj.

Hetimet për vrasjen vazhdojnë, ndërsa Albert Sylaj mbetet person i dyshuar dhe prezumohet i pafajshëm derisa përgjegjësia e tij të vërtetohet me vendim gjyqësor të formës së prerë.