Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, ka shprehur keqardhje për ngjarjen tragjike, duke pretenduar se ishte përpjekur ta parandalonte atë.
Në një deklarim që i atribuohet gjatë paraqitjes para Gjykatës Themelore në Pejë, Sylaj është shprehur: “Ndiej keqardhje për këtë çka ka ndodhur, jam munduar ta parandaloj”.
Deklarata është raportuar pas seancës së mbajtur të martën, më 27 tetor, ku është shqyrtuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.
Gjykata ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke i caktuar Sylajt një muaj paraburgim nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mospërfillja e gjykatës”.
Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se më 25 tetor, vetëm disa orë para vrasjes së Arlindës, nuk e kishte respektuar urdhrin e mbrojtjes të lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë më 16 tetor.
Sylaj dyshohet se kishte ushtruar dhunë psikologjike dhe e kishte kërcënuar ish-bashkëshorten, ndërsa gjatë incidentit raportohet se ia kishte marrë rrobat nga rrobalarësja dhe i kishte hedhur në oborrin e shtëpisë.
Për këtë rast, ai ishte ndaluar nga Policia para se Arlinda të gjendej pa shenja jete në shtëpinë e saj.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur më 23 tetor edhe një aktakuzë ndaj Sylajt për veprën penale “Kanosja”, në kuadër të marrëdhënies familjare.
Nga dokumentet e publikuara të kësaj procedure, Sylaj kishte pranuar gjatë marrjes në pyetje në korrik se i kishte drejtuar fjalë kërcënuese Arlindës, duke pretenduar se kishte vepruar për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me djalin e tyre.
Për vrasjen e Arlinda Zekajt dyshohet Albert Sylaj, vëllai i Jetonit, i cili është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.
Jeton Sylaj nuk është identifikuar nga autoritetet si i dyshuar për kryerjen e vrasjes. Procedurat penale ndaj tij lidhen me kanosjen dhe mosrespektimin e dyshuar të urdhrit gjyqësor.
Ai prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.






