Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, pavarësisht protestave të vazhdueshme në Tiranë, duke deklaruar se do të qëndrojë në krye të Qeverisë deri në përfundim të mandatit që i është besuar nga qytetarët.
Në një videomesazh të publikuar të mërkurën, më 28 tetor, Rama iu përgjigj protestuesve që prej më shumë se dy javësh kërkojnë largimin e tij nga pushteti, duke theksuar se ndryshimi i qeverisë duhet të bëhet përmes votës dhe jo presionit të rrugës.
Kryeministri deklaroi se ai dhe Partia Socialiste përfaqësojnë shumicën qeverisëse dhe se nuk do t’u nënshtrohen kërkesave për dorëheqje.
“Unë do jem në krye të detyrës time deri në ditën e fundit të kontratës që ma kanë besuar njerëzit e Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Ai kritikoi ashpër një pjesë të protestuesve, duke i akuzuar për përdorim të dhunës, shkatërrim të pronës dhe përpjekje për të imponuar vullnetin e tyre ndaj shumicës së qytetarëve.
Sipas Ramës, protestat kanë bashkuar grupe me kërkesa dhe interesa të ndryshme, të cilat ai i cilësoi si një përzierje që nuk mund të pretendojë se përfaqëson të gjithë popullin shqiptar.
Kreu i Qeverisë tha se qytetarët e shprehin vullnetin e tyre politik përmes zgjedhjeve, ndërsa kundërshtoi pretendimin se pjesëmarrësit në protesta kanë të drejtë të flasin në emër të shumicës.
Rama ngriti akuza edhe ndaj disa televizioneve dhe figurave publike, të cilat i akuzoi se po nxisin klimën e tensioneve dhe po mbështesin aktet e dhunshme. Ai pretendoi se disa media financohen nga para të paligjshme, pa paraqitur në këtë deklaratë prova që vërtetojnë pretendimin.
Kryeministri mbrojti gjithashtu rezultatet e qeverisjes së tij, duke përmendur zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Deklarata vjen në ditën e 16-të të protestave studentore në Tiranë, të cilat filluan më 13 tetor me kërkesa lidhur me arsimin, kushtet e jetesës dhe problemet ekonomike, por më pas u zgjeruan me thirrje për dorëheqjen e kryeministrit.
Gjatë ditëve të fundit janë regjistruar përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, me persona të lënduar, arrestime dhe dëme materiale.
Nga ana tjetër, përdorimi i forcës nga Policia ka nxitur kritika dhe kërkesa për hetimin e ndërhyrjeve ndaj protestuesve.
Rama ka përsëritur gatishmërinë për dialog me studentët, ndërsa protestuesit vazhdojnë të kërkojnë largimin e tij nga detyra.
Pavarësisht tensioneve dhe kërkesave për dorëheqje, kryeministri ka bërë të qartë se synon ta përfundojë mandatin qeverisës.






