Janë publikuar pamje nga arrestimi i Albert Sylajt, i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Pamjet janë publikuar të mërkurën, më 28 tetor, pas arrestimit të Sylajt nga Policia e Kosovës, të martën në mbrëmje.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, i dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar më 27 tetor, rreth orës 23:40, në Deçan.
Arrestimi është realizuar pas dy ditësh kërkimesh dhe veprimesh intensive operative e hetimore, gjatë të cilave autoritetet kishin kërkuar edhe bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e tij.
Sylaj ishte shpallur në kërkim nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.
Ai dyshohet se më 25 tetor kishte vrarë Arlinda Zekajn, e cila ishte ish-kunata e tij. Pas ngjarjes, i dyshuari ishte larguar nga vendi i krimit.
Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin në lokalizimin e të dyshuarit, ndërsa ka bërë të ditur se veprimet e mëtejshme procedurale do të zhvillohen në koordinim me organet kompetente të drejtësisë.
Rasti i Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, veçanërisht pas raportimeve se viktima kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet përpara vrasjes.
Ndërkohë, organet e drejtësisë po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Albert Sylaj prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.






