Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate (PSD) u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për sot, 28 tetor, në Prishtinë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
“Ju lutna, hajdeni në protestë për Arlindën dhe secilën grua që ballafaqohet me dhunë”, është thirrja e Kuçit, e raportuar nga GazetaBlic.
Protesta është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, me fillim nga ora 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Nga aty, pjesëmarrësit pritet të marshojnë drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë.
Përmes kësaj proteste, organizatorët kërkojnë përgjegjësi institucionale për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, si dhe masa konkrete për mbrojtjen e viktimave.
Rasti i Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta pasi u bë e ditur se ajo kishte kërkuar ndihmë nga institucionet përpara se të vritej më 25 tetor.
Kuçi ka qenë ndër personat që kanë folur publikisht për përpjekjet e Arlindës për të kërkuar mbrojtje.
Më herët, gjatë një paraqitjeje televizive, ajo kishte deklaruar se Arlinda i kishte dërguar një letër prej tri faqesh e gjysmë Kryeprokurorit të Shtetit, vetëm disa ditë para vrasjes, duke përshkruar situatën në të cilën ndodhej dhe duke kërkuar ndërhyrje.
Kuçi kishte ngritur gjithashtu shqetësime për mënyrën se si ishin trajtuar raportimet e viktimës nga institucionet përgjegjëse.
Ndërkohë, organizatorët e protestës kanë paralajmëruar se mobilizimi nuk do të përfundojë me tubimin e sotëm, por do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.
Ata kërkojnë që mbrojtja e grave nga dhuna të trajtohet si çështje urgjente kombëtare dhe që të hetohen veprimet apo mosveprimet e mundshme institucionale në rastin e Arlinda Zekajt.






