Gra dhe vajza janë tubuar të mërkurën, më 28 tetor, në Deçan, për të protestuar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke ngritur shqetësimin për sigurinë e grave dhe mbrojtjen e tyre nga institucionet shtetërore.

“Kush na mbron neve?” është pyetja që ka shoqëruar raportimin për protestën, përmes së cilës është vënë në pah shqetësimi për mënyrën se si trajtohen rastet e dhunës ndaj grave në Kosovë.

Tubimi vjen tri ditë pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor në fshatin Vitomiricë të Pejës, megjithëse më herët kishte raportuar kërcënime dhe kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet.

Sipas informacioneve të publikuara nga Prokuroria Themelore në Pejë, Arlinda kishte një urdhër mbrojtjeje gjashtëmujor, të lëshuar më 16 tetor, ndërsa vetëm disa ditë para vrasjes kishte kërkuar ndërhyrje institucionale për zbatimin e vendimit gjyqësor.

Rasti ka nxitur reagime dhe protesta në disa qytete të Kosovës, me kërkesa për zbardhjen e përgjegjësive të mundshme institucionale dhe forcimin e mekanizmave për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e Albert Sylajt, i dyshuari për vrasjen e Arlindës, i cili u lokalizua dhe u arrestua mbrëmjen e 27 tetorit, rreth orës 23:40, në Deçan.

Përveç hetimeve për vrasjen, Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur verifikimin e mënyrës se si ishin trajtuar denoncimet e viktimës dhe nëse zyrtarët përgjegjës kishin vepruar në përputhje me detyrimet ligjore.

Për sot është paralajmëruar edhe një protestë në Prishtinë, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist. Tubimi pritet të nisë në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, ndërsa pjesëmarrësit kanë paralajmëruar marshim drejt institucioneve shtetërore.

Organizatorët e protestës në Prishtinë kanë kërkuar përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave që përballen me dhunë.