Një protestë e madhe është paralajmëruar për sot, 28 tetor, në Prishtinë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Organizatorët kanë paralajmëruar kërkesa konkrete për përgjegjësi institucionale, përfshirë shkarkimin e disa zyrtarëve dhe nisjen e hetimeve për mënyrën se si është trajtuar rasti i saj.

Protesta, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, pritet të nisë në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, nga ku pjesëmarrësit do të marshojnë drejt institucioneve shtetërore.

Organizatorët kanë paralajmëruar një ultimatum prej 24 orësh për institucionet, duke kërkuar nisjen e procedurave për shkarkime dhe hetime ndaj zyrtarëve që, sipas tyre, kanë përgjegjësi për mosmbrojtjen e Arlinda Zekajt.

Në mesin e kërkesave është shkarkimi i ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqja e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Kolektivi ka kërkuar gjithashtu shkarkimin dhe hetimin e disa zyrtarëve të sistemit të drejtësisë dhe të shërbimeve sociale në Pejë, përfshirë kryeprokuroren Lumturije Vuçetaj, prokuroren Suada Rama Hamza, kryetarin e Gjykatës Themelore në Pejë, Shemsedin Haxhiaj, gjyqtarin Migjen Kastrati dhe ushtruesen e detyrës së drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale, Shpresa Lukaj.

Këto janë kërkesa të organizatorëve dhe nuk përbëjnë konstatime gjyqësore për përgjegjësi penale apo shkelje të kryera nga personat e përmendur.

Përveç shkarkimeve, Kolektivi ka kërkuar që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare, sigurimin e banimit social për gratë që i kanë mbijetuar dhunës, një proces të pavarur dhe jopartiak të vetingut në drejtësi, si dhe ndryshime ligjore që lidhen me vetëmbrojtjen e grave.

Një tjetër mesazh i organizatorëve është drejtuar partive politike. Ata kanë bërë të ditur se përfaqësuesit e partive parlamentare nuk janë të mirëseardhur në protestë, duke kundërshtuar atë që e cilësojnë si shfrytëzim politik të vrasjeve të grave.

“Revolta është e jona, dhe është e drejtuar kundër krejt juve”, thuhet në reagimin e Kolektivit.

Marshimi është paralajmëruar të kalojë pranë Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë.

Protesta vjen pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj më 25 tetor, rast që ka nxitur reagime të shumta për shkak të raportimeve se ajo kishte kërkuar ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet përpara se të vritej.

Autoritetet kanë nisur verifikimin e veprimeve institucionale për të përcaktuar nëse ka pasur shkelje apo neglizhencë gjatë trajtimit të denoncimeve të saj.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka paralajmëruar se mobilizimi nuk do të përfundojë me protestën e sotme, por do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim.