Kuvendi i Kosovës ka themeluar Komisionin Hetimor Parlamentar për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, me 90 vota për, ndërsa kryesues i tij është caktuar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani.

Komisioni do të ketë mandat deri në gjashtë muaj për të hetuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përgjegjëse në trajtimin e rastit, si dhe reagimin institucional ndaj dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave e fëmijëve.

Sipas vendimit, komisioni do të përbëhet nga 11 anëtarë. Nënkryetar është caktuar Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Përbërja e Komisionit Hetimor Parlamentar është si vijon:

  • AAK: Burim Ramadani, kryesues.
  • LVV: Adnan Rrustemi, nënkryetar, si dhe Armend Baloku, Arijeta Rexhepi, Osman Musliu dhe Adelina Tërshani.
  • PDK: Besa Kabashi-Ramaj dhe Eman Rrahmani.
  • LDK: Doarsa Kica-Xhelili.
  • Përfaqësuesit e komuniteteve: Jovana Radosavljeviq dhe Emilija Rexhepi.

Aleanca ka deklaruar se do të angazhohet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësive eventuale institucionale. Në reagimin e saj, partia ka theksuar se llogaridhënia duhet të jetë e pakompromis dhe se dështimet e mundshme në mbrojtjen e jetës së qytetarëve nuk duhet të kalojnë në heshtje.

Komisioni pritet të shqyrtojë mënyrën se si institucionet i kanë trajtuar kërkesat për ndihmë dhe paralajmërimet për rrezikun ndaj jetës së Arlinda Zekajt, si dhe masat e ndërmarra për mbrojtjen e saj. Hetimi synon të shqyrtojë edhe koordinimin ndërmjet institucioneve përgjegjëse.

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka kërkuar që në këtë proces të përfshihen edhe Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë. Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, është shprehur e gatshme të bashkëpunojë me komisionin.

Rasti i Arlinda Zekajt ka nxitur reagime dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale, pasi ajo u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Tri ditë para vrasjes, ajo u kishte shkruar institucioneve duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.